Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin për pagat deri më 30 mars

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me anë të një njoftimi ka treguar se ka pezulluar deri më 30 mars të vitit 2020 zbatimin e ligjit për paga. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit.

“Gjykata pa paragjykim ndaj meritave të kërkesës dhe të kushtetutshmërisë së ligjit të kontestuar në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, vendosi, me shumicë votash që: I. TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi; II. TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të njëjtë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me këtë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e Policisë, e Doganës dhe Arsimit, kanë reaguar ndaj këtij vendimi, derisa kanë kërkuar që të zbatohet Ligji.

Ndërsa thonë se nëse nuk marrin asnjë përgjigje nga institucionet relevante, të gjithë punëtorët e tyre do të hyjnë në grevë dhe protesta. Të mërkurën, drejtues të tri sindikatave janë takuar me kryetarin e Vetëvendosjes, njëherazi pretendentin për kryeministër Albin Kurti.

Drejtuesit sindikalistë thanë se pas dërgimit në Kushtetuese të ligjit për paga, gjendja është alarmante, teksa nuk i mohuan grevat e përgjithshme. Ata i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë vendim të drejtë dhe mos të pezullojë ligjin për paga, por vetën të bëhen ndryshime në ata sektor ku ka pakënaqësi.

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar ligjin për pagat në sektorin publik.

Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.

Sipas afateve të parashikuara në ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje.

SHKARKO APP