Gjykata Speciale në Hagë merr në pyetje edhe deputeten e Kosovës

Time Kadrijaj, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, është ftuar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila po heton krimet e kohës së luftës dhe pas luftës në Kosovë.

“Nuk jam aspak e trishtuar për pasojat ligjore, sepse lufta jonë ka qenë e pastër si lot dhe kjo do të dëshmohet prapë, por jam e shqetësuar për ftesat e njëpasnjëshme të kësaj gjykate, të cilat për bazë kanë vetëm pretendimet politike të Serbisë dhe ta merr mendja që po kanë pasoja politike për Kosovën, e cila më në fund ka filluar të flasë me zërin e vet,” shkroi Kadrijaj në Facebook.

Ajo tha se do të merret në pyetje në shtator nga prokurorët e Hagës. Kadrijaj shërbeu si mjeke në spitalet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit gjatë luftës, raportoi të enjten gazeta Koha Ditore, shkruan balkaninsight.

Që nga viti i kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka marrë në pyetje më shumë se 35 ish-luftëtarë të UÇK-së, duke përfshirë disa që tani janë politikanë të profilit të lartë.

SHKARKO APP