Gjyqet ndaj Haradinajt, “Rambo” i pafajshëm në Hagë, Francë dhe Slloveni

Kjo nuk është hera e parë që Ramush Haradinaj, përballet me një gjykatë ndërkombëtare apo të huaj, për dyshimet e ngritura kundër tij për krime lufte ndaj serbëve në Kosovë.

Në vitin 2005 “Rambo”, siç njihej gjatë luftës me Serbinë, qëndroi si kryeministër për 100 ditë, përpara se të shkonte si i pandehur në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi me seli në Hagë.

Haradinaj, në atë kohë, u akuzua për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës. Por për shkak të mungesës së provave bindëse, ai u lirua në prill të 2008-ës.

Do të kalonin vetëm 3 vite, përpara se Haradinaj të përballej me Dhomën Gjyqësore të Dytë të Hagës. Pavarësisht se në këtë proces u thirrën 56 dëshmitarë kundër ish luftëtarit të UÇK-së dhe asnjë në mbrojtje, ai u shpall i pafajshëm sërish në nëntor të vitit 2012. Këtë here, gjyqtarët, jo vetëm që e liruan nga akuzat, por theksuan se provat e siguruara dëshmojnë se “Rambo” u përpoq të parandalonte sjelljen kriminale.

Përveç këtyre proceseve, Haradinaj është hasur edhe me dy ndalime të tjera për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Në qershor të 2015-ës, u ndalua nga policia sllovene dhe u lirua pas dy ditësh nga presioni diplomatik. Një rast i ngjashëm u regjistrua dhe në janar të 2017-ës, ku Haradinaj u arrestua nga policia franceze. Serbia, në atë kohë, kërkoi me ngulm ekstradimin e tij, por gjykata franceze vendosi ta lironte atë.

SHKARKO APP