Gjyqi i “Baronit të drogës” dhe politikanët e Ballkanit
Arrestimi i një politikani të rëndësishëm boshnjak, Fahrudin Radonçiç, në lidhje me një gjyq për trafikim droge dhe vrasje ka hedhur dritë mbi lidhjet e tij të mundshme me botën e fshehtë të krimit, politikës dhe biznesmenëve në Ballkan.
Gjyqi në proces i Naser Kelmendit – një prej të dyshuarve më famëkeq për trafik droge në Ballkan – po hedh dritë mbi aleancat e mundshme mes botës së fshehtë të aleancave të gangsterëve dhe biznesmenëve e politikanëve kryesorë në Ballkan.
Klemendi, një shtetas boshnjak i lindur në Kosovë, është në gjyq në Kosovë për trafikim droge në Ballkan, si dhe për vrasjen në vitin 2007 të një gangsteri famëkeq nga Sarajeva, Ramiz Delaliç, i njohur gjithashtu si Çelo.
Gjyqi po mbahet në Gjykatën e Shkallës së Parë në Prishtinë, që në sinkron me sistemin gjyqësor hibrid të Kosovës, po menaxhohet nga misioni i BE për sundimin e ligjit EULEX.
Paneli përfshin dy gjykatës të huaj dhe një vendas dhe ka si prokuror një amerikan.
Që nga fillimi i gjyqit në janar, deklaratat e dëshmitarëve kanë hedhur dritë mbi disa nga lidhjet e dyshuara të Kelmendit me kriminelë të tjerë, manjatë dhe politikanë në rajon, përfshirë manjatin boshnjak të medias dhe politikanin Rahrudin Radonçiç, lideri i Aleancës për të Ardhme më të Mirë, SBBBiH.
Radonçiç nuk është akuzuar në lidhje me gjyqin e Kelmendit. Megjithatë, zyrtarët nga Gjykata e Shkallës së Parë të Prishtinës thanë se ai ka rënë dakord të dëshmojë në seanca si dëshmitarë dhe do të shfaqet në gjykatë në prill 2016.
Dy nga ndihmësit e Radonçiç dhe më pas vetë ai u arrestuan në Bosnje disa javë më parë, me akuzat e ndërhyrjes te dëshmitarët e gjyqit të Kelmendit.
Radonçiç ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në ndonjë aktivitet kriminal me Kelmendin.
Ai e përsëriti këtë pozicion në seancën dëgjimore përpara Gjykatës Shtetërore Boshnjake të mërkurën, pasi u arrestua dhe pasi Prokuroria e Shtetit kërkoi paraburgimin e tij për një muaj, për të parandaluar ndërhyrjen e mundshme me dëshmitarët ndërkohë që prokuroria përgatit çështjen.
Radonçiç tha se akuzat ndaj tij për influencim të dëshmitarëve ishin një mashtrim politik, por gjykata të enjten vendosi ta lërë atë në paraburgim për 30 ditë.
Emri i Radonçiç përmendet në aktakuzën e Kelmendit, që u bë publike disa kohë më parë, sëbashku me 11 persona të tjerë, përfshirë Naser Oriç, që është në gjyq për krime lufte në Srebrenicë.
I pyetur se pse Radonçiç dhe 10 persona të tjerë janë emëruar në aktakuzë, por nuk ishin të akuzuar, një zyrtar i BE-së i cili kërkoi të mbetet anonim tha se Kosova nuk ka pasur marrëveshje ekstradimi me Bosnjën dhe se ishte në gjendje për të gjykonin vetëm banorët e Kosovës apo atyre që kanë lindur aty ligjërisht.
Të pyetur nëse gjykatat e Bosnjës mund të përdorin aktakuzën e Kelmendit për të ndjekur penalisht Radonçiç dhe të tjerët, zyrtarët e Prokurorisë së Shtetit të Bosnjës refuzuan të komentonin.
Më 11 janar, autoritetet boshnjake arrestuan Bakir Dautbashiç, një anëtar i SBBBiH të Radonçiçit, dhe të dashurën e tij, Bilsena Sahman, në Sarajevë.
Ata u akuzuan se kanë bërë presion mbi një dentiste boshnjake, Azra Sariç – i cili ishte e dashura e Delaliçit tashmë të vdekur – që të ndryshojë dëshminë e saj në gjyqin e Kelmendit dhe të mos përmendi lidhjet e Radonçiç me Kelmendin.
Gjykata e Shtetit e Bosnjës vendosi ta lërë edhe Dautbashiçin dhe Sahman në paraburgim për një muaj për të parandaluar ndikimin e dëshmitarëve të mundshëm, ndërsa prokuroria përgatit aktakuzën.
Dy javë më vonë, më 25 janar, pranë Sarajevës, autoritetet boshnjake arrestuan vetë Radonçiçin.
Prokuroria e Shtetit e akuzoi atë për ndërhyrje te dëshmitarët për të fshehur lidhjet e tij me rastin Kelmendi dhe ndaj ti u dha masa me paraburgim për një muaj.
Gjyqi Kelmendi dhe çështja kundër Radonçiç, kanë sjellë në dritë lidhjet e ndërlikuara përtej kufijve dhe vijave etnike mes kriminelëve të Ballkanit, politikanëve dhe manjatëve.
Kelmendi u arrestua në Prishtinë në maj të vitit 2013, por gjyqi i tij i shumëpritur nuk filloi deri në janar 2015. Kjo për shkak se ndërsa ai u arrestua në Prishtinë, krimet për të cilat ai akuzohet kanë ndodhur në Bosnjë.
Gjyqi i tij po mbahet në Kosovë sepse Bosnja nuk e ka njohur Kosovën dhe nuk ka një traktat dypalësh ekstradimi me Kosovën.
Kelmendi është akuzuar për vrasjen e Delaliç, për trafikimin e qindra e mijëra kilogramëve heroinë nga Afganistani në Europë dhe për trafikimin e 150.000 pilula ekstazi si dhe tonë e gjysmë të kimikateve të përdorura për prodhimin e heroinës.
Dëshmitarja kryesor e prokurorisë, Sejla Jugo Turkoviç, që ishte krahu i djathtë i Radonçiç në gazetën e tij Dnevni Avaz, dëshmoi në gjyqin e Kelmendit në mars dhe prill 2015.
Turkoviç është martuar me një gangster të dënuar, Zijad Turkoviç, që u dënua me 40 vjet burg për vrasje, grabitje dhe trafikim droge.
Në dëshminë e saj, Turkoviç përshkoi punësimin e saj në gazetë, shkrimet rreth krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe më pas për programin e saj televiziv.
Ajo tha se mori pjesë në “qindra” takime mes Kelmendit dhe Radonçiçit, përfshirë takimet në Radon Plaza, një hotel i ndërtuar dhe në pronësi të Radonçiç, në të cilin sipas saj qe planifikuar vrasja e Delaliç.
“Fahrudin Radonçiç ishte ai që i thoshte të tjerëve çfarë të bënin dhe si të silleshin,” tha Turkoviç në dëshminë e saj në Prishtinë më 20 mars 2015.
Ajo tha se Radonçiç i kishte thënë se “të gjitha veprimet e Kelmendit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për vrasje, rrahje apo çfarëdo qoftë duhet të marrin miratim nga unë”.
Turkovic tha se Radonçiç i kishte thënë asaj gjithashtu se në vitin 2010 Kelmendi dha 8 milionë euro për të financuar fushatën e tij të dështuar në zgjedhjet presidenciale. [Boshnjakët në vend zgjodhën Bakir Izetbegoviç, Zheljko Komsiç dhe Nebojsha Radmanoviç në presidencën tre-palëshe].
Ajo gjithashtu pohoi se të dy, si Radonçiç dhe Kelmendi ndërhynë në disa raste për të ndikuar se çfarë botohej apo jo në gazetën e Radonçiç.
Radonçiç i mohoi akuzat e Turkoviç.
“Nëse ka pasur ndonjë element të interesit të përbashkët ose ndonjë korrelacion tjetër mes meje dhe Kelmendit, i cili është në listën e zezë të bosëve më të mëdhenj të drogës në botë, autoritetet shtetërore [të Bosnjës] do të më hetonin kohë më parë. Nuk është asgjë tjetër veç propagandës politike”, tha Radonçiç në një gazetë të përditshme boshnjake, Glas Srpske, në qershor 2012.
Disa dëshmitarë të tjerë kanë dëshmuar gjatë gjykimit të Kelmendit, por shumica e tyre kanë preferuar të flasin në seancë të mbyllur, si Ivana Buha, e cila tha se bashkëshorti i saj e dinte për vrasjen e Delaliç, partnerin e Delaliç, Amir Pashiç , dhe dentisten Azra Sariç.
Sipas prokurorisë boshnjake, Sariç do të dëshmonte nëpërmjet një lidhje me video nga Sarajeva në gjyqin e Kelmendit më 18 dhjetor 2015, por ka thënë para gjykatës se ajo nuk mund ta bëjë këtë për shkak se ishte kërcënuar dhe i kërkoi gjykatësve ta shtyjnë dëshminë e saj.
Ajo shkoi në prokurorinë e Bosnjës, e cila hapi një hetim dhe më pas arrestoi Radonçiç, Dautbashiç dhe Sahman, ndërsa Sariç përfundimisht dëshmoi në gjyqin në Kosovë, në një seancë të mbyllur më 13 dhe 18 janar.
Radonçiç do të dëshmojë në prill 2016 dhe ka thënë se është i gatshëm ta bëjë këtë. Është e paqartë se çfarë efekti do të ketë arrestimi dhe paraburgimi i tij në gjyqin e Kelmendit.
Vasvija Vidoviç , nga ekipi i avokatëve që përfaqësojnë Radonçiç, Dautbashiç dhe Sahman, tha për BIRN se arrestimi ishte i motivuar politikisht, ndërsa akuzat për frikësimin e dëshmitarëve ishin të parëndësishme.
“Prokuroria boshnjake është politike. Është absolutisht politike. Ka shumë njerëz të drejtë atje dhe ekspertë, por një pjesë e prokurorisë është politike. Ka lidhje familjare dhe klane të lidhura me partitë politike. Kjo është e dukshme për të gjithë shtetasit e Bosnje-Hercegovinës, “tha ajo.
Avokati i Kelmendit, Besnik Berisha, tha gjithashtu se arrestimi ishte i motivuar politikisht.
“Arrestimi i Radonçiç nuk lidhet fare me akuzat e interesave në vendimin e çështjes Kelmendi sepse Radonçiç do të shfaqet si dëshmitar në këtë çështje”,- tha Berisha.
“Të thuash se ai ka ndikuar te dëshmitarët e një procesi në të cilin ai është gjithashtu një dëshmitar, ky është absurditet … Unë nuk besoj se arrestimi i tij do të ndikojë në dëshminë e tij, sepse ai ishte gjithmonë në dispozicion për të dëshmuar dhe për të dhënë versionin e tij mbi akuzat në këtë çështje”.
Disa politikanë dhe analistë e kanë quajtur arrestimin e Radonçiç një “spektakël” dhe thanë se ata kanë frikë se kjo mund të destabilizojë vendin, pasi partia e tij është një pjesë e rëndësishme e koalicionit qeverisës me Partinë për Veprim Demokratik, SDA.
Profesori i Shkencave Politike në Sarajevë, Asim Mujkiç tha se arrestimi i Radonçiç mund të destabilizojë Bosnjën.
“Kjo vjen në një kohë kur Bosnja dhe Hercegovina duhet të shfaqin kandidaturën për anëtarësi në BE”,- tha Mujkiç.
“Këto janë momente që mund të destabilizojnë situatën në një kohë kur është e rëndësishme që qeveria dhe institucionet të punojnë pareshtur për të përgatirur aplikimin në BE”,- shtoi ai.
“Nga kjo pikëpamje, arresti mund të jetë kundërproduktiv. Sigurisht nuk po diskutoj nëse ky person është apo jo i pafajshëm. Pavarësisht nëse ai është fajtor ose i pafajshëm, gjithsesi arresti do të gjenerojë destabilitet. Shpresoj që destabiliteti të mos zgjasë shumë”.
Labinot Lepostica kontribuoi në raportimin nga Prishtina dhe Amer Jahiç kontribuoi nga Sarajeva./BIRN/