Gjyqi në Hagë, Rexhep Selimi: Akuzat ndaj meje të padrejta, jam çlirimtar
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi është paraqitur sot në Gjykatën Speciale në Hagë për t’u njohur me akuzat e Prokurorisë Speciale. Gjatë luftës Selimi ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.
Rexhep Selimi është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës Avokati i tij, Robert Kaarls, tha se në ditët në vijim do të bëjnë kërkesë për lirimin e përkohshëm duke argumentuar se nuk ka indikacione se Selimi paraqet rrezik të arratisjes. Avokat i Selimit pritet të jetë David Young, por ai për shkak të pandemisë së koronavirusit, nuk ishte i pranishëm në këtë seancë. Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake e njoftoi Selimin për të drejtat që ka në këtë proces.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, pas dëgjimit të aktakuzës, ka mbajtur një fjalim të gjatë ku ka kundërshtuar aktakuzën e ngritur ndaj tij.
“E di që nuk është momenti as vendi të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate, duke ditur se këtë gjykatë e ka themeluar Kuvendi i Kosovës. Dua të theksoj se unë si deputet, e pata kundërshtuar themelimin jo si shprehje kundër drejtësisë por përkundrazi, donim që drejtësia të bëhej nga institucionet e Kosovës në Kosovë. Më lejoni t’ju kujtoj se themelimi i gjykatës ishte në favor të Kosovës. Vetëm pak muaj pas këtij vendimi të gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, raporti i Dick Martyt nxori raport ndaj vendimit të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Mendoj që nuk duhej të ngritej një gjykatë mbi synimet e hapura anti Kosovës. Sidoqoftë ja ku jemi, kjo gjykatë është një fakt”, u shpreh Selimi.
Selimi, theksoi se ai dhe ish-pjesëmarrësit tjerë të Ushtrisë Çlirimtare, po akuzohen padrejtësisht.
“Sot këtu nuk jam si deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë por si ish-ushtar i UÇK-së, themelues i saj, përballë një aktakuze të ngritur nga Prokuroria dhe ju z.gjykatës. Rolet këtu i kemi të ndara, jemi palë të ndryshme, por ju lutem më bëni të besoj se po ashtu qëllimi ynë do të jetë drejtësia, mbi të gjitha e vërteta. E pashë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria. Ishte aktakuzë e rëndë, vuliminoze e mbi të gjitha e padrejtë. E pasaktë ndaj meje dhe luftës së popullit tim dhe shtetit nga vijë unë. Ky proces do ta dëshmojë që ishim popull i shtypur që luftuam për liri. Bëmë luftë të pastër dhe të drejtë, kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi. Kush ka dyshime do të bindet se as unë as UÇK nuk kemi të bëjmë me krime e ndërmarrje të përbashkët kriminale siç akuzohemi padrejtësisht”, u shpreh Selimi.
Ai shtoi se “unë kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore e cila veç të këqija i ka sjellë vendim tim. Prandaj, unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim. Unë jam vetëm çlirimtar. Luftën e kemi nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin Clark, me NATO-n. Drejtësia duhet të jetë qëllimi ynë këtu, pse jo edhe Prokurorisë”, u shpreh tutje.
- Fjalimi emocionues i Jakup Krasniqit në Hagë: Po përpiqeni të na ndani mbi baza fetare. Unë s’jam mysliman dhe as katolik, por shqiptar
- Seanca në Hagë. Hashim Thaçi: I dëgjova akuzat dhe i hedh poshtë të gjitha (VIDEO)
- Video editorial i “Koha Jonë”: Gjyqi i turpshëm kundër Kosovës dhe UÇK. Specialja në Hagë flet në emër të Serbisë
-
Kadri Veseli: Deklarohem me bindje të plotë se jam i pafajshëm