Gjyqtarë e prokurorë nën hetim…leksioni i parë si luftohet “krimi”
Ata paguhen nga taksapaguesit që të luftojnë krimin, të mos bëjnë kompromis me të dhe të japin drejtësi, por ashtu si në Shqipëri edhe në Kosovë, duket se njerëzit e drejtësisë janë “infektuar rëndë” nga krimi e korrupsioni dhe s’mund ta luftojnë dot atë.
Kështu, në Kosovë me dhjetëra gjyqtarë e prokurorë, edhe nga ata me pozitat më të larta, janë pjesë e hetimeve penale e disiplinore, nën dyshimin se vetë kanë qenë apo ende janë pjesë e krimit dhe disa prej tyre tashmë me aktakuza.
Madje në hierarkinë e gjyqësisë dhe prokurorisë, kanë dalë të jenë të përfshirë në keqpërdorime, gjyqtarë e prokurorë.
Nazmi Mustafi, ish-shef i Taks-Forcës Kundër Korrupsionit; Shpresa Bakija, kryeprokurore e Themelores në Gjakovë; Nuhi Uka, ish-kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë; Enver Hasani, ish-kryetar i Kushtetueses dhe Sali Mekaj, kryetar i Apelit, janë pasqyra reale e sistemit të degraduar të drejtësisë në Kosovë.
Rasti i fundit është me kryetarin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Salih Mekaj, i cili tash e një muaj po mbahet nën masën e arrestit shtëpiak. /Zeri/