Greqia do ta njohë Kosovën në vjeshtë?

 

Greqia, përmes Kosovës, po ia kthen borxhin Amerikës, për përkrahjen që e ka marrë javët e fundit, gjatë përplasjes me Gjermaninë lidhur me përkrahjen e kriditorëve evropianë.

Kështu e vlerësojnë afrimin e politikës greke ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, që është vërejtur kohëve të fundit.

Ndërkohë, Qeveria e Serbisë, përmes Ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, pret ende nga Athina zyrtare sqarim lidhur me deklaratat se do ta përkrahin anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

E përditshmja serbe “Blic” citon analistët serbë të kenë thënë se Greqia obligohet t’i kthejë Evropës borxhin prej miliarda eurosh, ndërsa Amerikës do t’ia kthejë borxhet politike.

“Deklarata se Qeveria e Greqisë do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë nuk është befasi. Athina tregton me vite me çështjen e Kosovës. Ata gjatë gjithë kohës flasin me Amerikën, nga e cila, si dëmshpërblim, kanë kërkuar ndihmë lidhur me çështjen e Maqedonisë. Megjithatë, ndihmën që SHBA-të ia dhanë gjatë krizës me BE dhe më Gjermaninë, grekët do t’ia kthejnë me një proces të përshpejtuar të njohjes së Kosovës”, citohet të ketë thënë analisti politik Dushan Janjiq.

Ai ka thënë se mendon që nuk do të kalojë shumë kohë dhe Athina do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës dhe se kështu do të veprojnë edhe Rumania dhe Sllovakia.

“Do të presë edhe pak për ta parë edhe marrëveshjen e dytë të Brukselit dhe në vjeshtë do ta njohë Kosovën. Pres që këtë ta bëjnë edhe Rumania e Sllovakia. Ndërsa Qipro dhe Spanja do të jenë më të përmbajtura sa i përket njohjes formale, por nuk do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB, por do të deklarojnë që vetëm do ta përcjellin politikën e BE-së”, ka shtuar Janjiq, transmeton lajmi.net.

SHKARKO APP