Grevë në Kosovë: Mjekët, mësuesit dhe minatorët kërkojnë rritje pagash

Personeli mjekësor dhe mësuesit në Kosovë kanë paralajmëruar greva të përgjithshme, nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre për rritjen e pagave.

Personeli mjekësor ka kërkuar që Projektligji për Pagat të kalojë në të njëjtën ditë me buxhetin e Kosovës për vitin 2019, ndërsa mësuesit kanë kërkuar rritje me 30%, shkruan “Zëri”.

Projektligji për Paga në sektorin publik, i cili është pjesë e pakos së ligjeve për reformim të administratës publike, ende nuk ka kaluar për rishqyrtim.

Për shkak se duhet të kalojë fillimisht në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ky projektligj nuk shkon në Kuvend para muajit shkurt.

Ndërkohë, rritje pagash kërkojnë edhe minatorët e Trepçës. Në ditën e gjashtë të grevës, ata kanë paraqitur një listë kërkesash, mes të cilave edhe rritja e pagave për 20 për qind, mospunësimi i punëtorëve të rinj pa konkurs, takimi i menjëhershëm me Bordin e minatorëve. Minatorët i mbështet edhe Bashkimi i Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës.

Kreu i tij, Avni Hajdini, thotë se premtimet e kryeministrit ndaj kërkesave të minatorëve që nga viti i kaluar kanë mbetur vetëm premtime boshe, sepse nuk është bërë asgjë deri më tani.

SHKARKO APP