Gripi “prek” Kosovën, dy gra në gjendje të rëndë shëndetësore
Dy gra të moshës 50 dhe 36 vjeçare janë në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e gripit që aktualisht është përhapur në Kosovë. Dy pacientet gjenden në kujdesin intensiv të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mjeku në Klinikën Infektive Valbon Krasniqi tha për KosovaPress se në këtë Klinikë që nga muaji dhjetor trajtim mjekësor me grip sezonal kanë marr rreth 14 pacientë.
Krasniqi derisa ka folur për gjendjen e dy pacientëve që janë në repartin intensiv tha se në Klinikë aktualisht trajtim mjekësor po marrim 3 pacientë, njëri prej tyre fëmijë i cili po trajtohet në repartin e Infektivës. Infektologu Krasniqi tha se prej të gjitha rasteve në muajin dhjetor ka vdekur një person i moshuar, i cili ka qenë i prekur edhe nga sëmundjet tjera.
Sipas tij edhe nëpër klinikat dhe Qendrat Mjekësore Familjare ka pasur disa raste me këtë lloj gripi, por që nuk ka qenë e nevojshme të shtrihen në Klinik për trajtim të mëtutjeshëm.
Krasniqi ka teguar edhe për simptomat e gripit sezonal. Ai rekomandoi që të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz, të ushqehen shëndetshëm, nëse kanë shenja te gripit duhet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore etj.
Ditë më parë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka njoftuar se prej 1 tetor 2019 deri më 5 Janar 2020 janë raportuar gjithsej 16.588 raste të dyshimta në grip, 2931 raste Infeksione respiratore akute dhe 13 raste me infeksion të rëndë respirator akut. Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës dhe Prizrenit, por nuk kalon pragun epidemik. Prej 1 tetor 2019 deri më 5 Janar 2020 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 109 mostra të dyshimta me grip, prej të cilave 9 mostra kanë rezultuar pozitive në grip A dhe një pozitive në grip B.
/KosovaPress/