“Grupet kriminale po e cenojnë sigurinë në veri”

Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, ka thënë se viteve të fundit incidentet në veriun e Mitrovicës kanë rënë ndërsa ka theksuar se kësaj gjendjeje i ka ndihmuar shtrirja më e fuqishme e zbatimit të ligjit në këtë pjesë të vendit, dhe, sipas tij, kjo i pengon grupet e caktuara të interesit sepse i prishë hesapet e tyre të përfitimeve.

Hoti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka potencuar se ka individë, grup, ose grupe që ende funksionojnë në veri të Mitrovicës, pa dashur të përmend numra apo se sa grupe janë, por është shprehur se ato mund të jenë grupe të interesit prej dy apo më tepër personave.

“Nuk do të thotë që është vetëm një grup i caktuar i organizuar… nuk duhet të jetë ai i strukturuar, por, po preken interesat e grupeve të ndryshme”, ka thënë Hoti ndër të tjera në këtë intervistë.

Zëvendëskomandanti Hoti tha më tej se këto grupe nuk janë të fuqishme, porse tash bëhet fjalë më shumë për qerim hesapesh mes grupeve kriminale.

“Tash po flasim për qërim hesapesh të grupeve kriminale, të cilave u preken interesat, dhe kjo fuqi e tyre nuk mund të jetë aq e madhe sa mund të paragjykohet. Mund të themi se fuqia e këtyre grupeve të interesit dhe fuqia e këtyre grupeve kriminale për çdo ditë vjen e zbehet, dhe në këtë mënyrë, në veri të kemi sa më pak incidente”, potencoi Hoti.

Duke iu referuar rastit të fundit, që lidhet me djegien e veturës zyrtare, Hoti tha se sigurisht që ky rast mund të jetë çështje personale e një individi apo grupi të caktuar kundrejt të cilëve zyrtarët policorë kanë zbatuar ligjin, duke u nisur nga arrestimet e deri te sekuestrimi i mallrave ose elementeve të jashtë ligjshme.

“Këto mund të merren si çështje të hakmarrjeve të ndryshme ndaj zyrtareve policorë, të cilat s’ëndërrohen në çështje personale te individët. Zyrtarët policorë nuk i shohin si zbatues të ligjit, por çështjet i marrin si personale. Kemi pasur raste të hakmarrjes edhe në të kaluarën ndaj zyrtarëve që kanë zbatuar ligjin”. Klan Kosova

SHKARKO APP