Grupi i grave deputete mirëpret zgjedhjen e deputetes Dërguti nënkryetare të Kuvendit

Grupi i Grave Deputete (GGD) deklaroi sot se e mirëpret zgjedhjen e deputetes Aida Dërguti, nënkryetare të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është gruaja e parë e zgjedhur nga një parti shqiptare në këtë pozitë. Duke përgëzuar Lëvizjen Vetëvendosje, GGD pret që në të ardhmen këtë shembull ta ndjekin edhe partitë tjera, ndërsa vlerëson se në Kuvendin kosovar, tani edhe me këtë zgjedhje, shënohet përparim sa përket përfshirjes gjinore.

“Ne do të angazhohemi që kjo të ndodhë edhe në qeveri, komuna, si dhe në institucione dhe organizata të sektorëve të ndryshëm, ku numri i grave në poste drejtuese, është pothuajse simbolik.

GGD-ja pret nga gratë në Kryesinë e Kuvendit, të cilat për herë të parë edhe për nga numri janë barabarta me burrat, se do t’ i kontribuojnë edhe më fuqizimit të gruas, ndërsa në këtë mënyrë edhe demokracisë”, theksohet në deklaratën e Grupi të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetët zgjodhën nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Nënkryetari i ri nga radhët e këtij grupi parlamentar u zgjodh deputetja, Aida Derguti, e cila e zëvendëson nënkryetarin e deri tashëm të këtij Grupi Parlamentar, Glauk Konjufca. Me këtë rast, deputeti Konjufca, sqaroi se, për shkak të angazhimit të tij në krye të Grupit Parlamentar të VV-së, ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit.

Në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës janë kryetari Kadri Veseli nga PDK dhe nënkryetarët – Xhavit Haliti nga PDK, Sabri Hamiti nga LDK, Aida Derguti nga VV, Jasmina Zhivkoviç nga Lista Serbe dhe Duda Balje nga Grupi Paralamentar 6+.

SHKARKO APP