Hagë, nis themelimi i “Gjykatës Speciale” për krimet e luftës
Tashmë është bërë zyrtare. Gjykata speciale, që pritet të gjykojë krimet e luftës të bëra gjatë luftës në Kosovë nën pushtimin serb, është duke u ngritur në qytetin e Hagës, në Holandë.
Lajmi është bërë i ditur nga qeveria holandeze, ndërsa ashtu siç dihej, gjykata pritet të gjykojë krimet më serioze të kryera gjatë viteve 1999-2000 të supozuara nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër minoriteteve etnike dhe kundërshtarëve politikë, thuhet në deklaratën e kësaj qeverie.
Gjykata pritet të nisë nga funksionimi më vonë gjatë këtij viti. Konflikti i dhunshëm i atyre viteve çoi në ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe në shpalljen e Pavarësisë së saj.
Gjykata, së cilës shpesh i referohemi si “Gjykata Speciale” por që zyrtarisht quhet Institucioni i Specializuar Gjyqësor i Zhvendosur nga Kosova, është themeluar nga Bashkimi Europian.
Deklarata e pranon se, gjykimi i krimeve të luftës “është një çështje tepër e ndjeshme në Kosovë”. “Të dyshuarit e mundshëm shpesh mund të konsiderohen nga seksione të ndryshme të shoqërisë kosovare si luftëtarë të lirisë dhe pavarësisë, ndërkohë që dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar në Kosovë”, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe arsyen se përse gjykimi i këtyre çështjeve do të bëhet jashtë territorit të Kosovës.