Haliti: Shqipëria ndihmoi Kosovën për në Asamblenë e KiE-së
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka falënderuar diplomacinë shqiptare për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës, në anëtarësimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Haliti tha se anëtarësimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një shans i madh për Kosovën dhe se në këtë rrugë nuk ka munguar përkushtimi dhe angazhimi i Shqipërisë në këtë proces.
Ambasadori Qemal Minxhozi tha se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim që Kosova të bëjë hapa avancues dhe të jetë e pranishme me të drejta të plota, në organizma të rëndësishëm europian.
Gjatë punimeve të mbajtura më datën 5 shtator, Byroja e APKE-së, ndër të tjera kishte marrë vendim edhe lidhur me zbatimin e paragrafit të 13-të të Rezolutës 2094 (2016) për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, sipas të cilit, parashihet ngritja e nivelit të bashkëpunimit të APKE-së me Kuvendin e Kosovës.
Gjatë Sesionit të Katërt të Rregullt të APKE-së, ky vendim është ratifikuar me shumicë votash.
Bazuar në këtë vendim, që nga janari i vitit 2017, Kosova ka të drejtë të caktojë një delegacion të përbërë prej tre 3 anëtarësh pozitë, opozitë dhe minoritet, në Këshillin e Europës.
Për kalimin e këtij vendimi, kundër të cilit krahas Serbisë ishin edhe përfaqësuesit e disa vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, delegacioni i Kuvendit të Kosovës falënderon Valentina Leskajn, përfaqësuese e Shqipërisë, e cila është edhe pjesë e Byrosë të APKE-së, për angazhimin e saj me përkushtim gjatë mbledhjeve të Byrosë, Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.