Hapen hetime për kërcënimet ndaj Veton Surroit

 

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka autorizuar të enjten Prokurorinë Themelore në Prishtinë që të fillojë hetimet kundër personave që përmes rrjeteve sociale kanë ushtruar një fushatë kërcënuese kundër publicistit Veton Surroi.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se zoti Lumezi ka ndjekur me vëmendje komentet kërcënuese që ditëve të fundit përmes një faqeje të rrjetit social Facebook i janë drejtuar zotit Surroi.

Ne arsyetimin e vendimit për hapjen e hetimeve, zoti Lumezi citohet të ketë thënë se “fjala e lirë dhe e drejta për të shprehur mendimin ndryshe pa e cenuar të njëjtën të drejtë të të tjerëve, janë vlerat fondamentale të shoqërisë e shtetit të Kosovës dhe se ato e gëzojnë mbrojtjen absolute kushtetuese dhe ligjore. Kryeprokurori i Shtetit është i bindur se vendi, i cili do të lejojë dominimin e njëmendësisë, imponimin e botëkuptimeve radikale dhe kryqëzimin publik deri te thirrjet e hapura për ekzekutim të mos-bashkëmendimtarëve, nuk ka të ardhme të sigurt”, thuhet në njoftim.

Vendimi pasoi reagimet në rrjetin social facebook pas deklaratave të zotit Surroi lidhur me gjendjen në Kosovë të bëra gjatë një vizite në Beograd ditë më parë ku u promovua romani i  tij “Miliarderi”. Gjatë asaj vizite në një intervistë dhënë televizionit serb B92, zoti Surroi ka folur edhe për gjykatën e posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Në rrjetet sociale u tha se zoti Surroi ka akuzuar “grupin e Drenicës për dhunë kundër pakicave”. Ai u akuzua për siç thuhet qëndrime antikombëtare dhe në komente pati thirrje kundër tij.

Zoti Suroi, nuk ka bërë komente rreth kësaj çështjeje, ndërsa në facebook, Flaka Surroi, që drejton kompaninë “Koha” të themeluar nga i vëllai Veton Surroi, shpjegoi se intervista është përkthyer dhe interpretuar gabimisht, meqë zoti Surroi ka folur për përmbajtjen e raportit të ish prokurorit ndërkombëtar Clin Williamson lidhur me hetimet e pretendimeve të ngritura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty. 

SHKARKO APP