Hapet gara për #InstaKosova

Prishtinë, 4 shkurt 2016 – Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës do ta mbajë të hapur garën #InstaKosova deri më 10 shkurt, ndërsa fituesit shpallen më 16 shkurt, duke iu bashkuar kështu kremtës së javës së pavarësisë me rastin 8-vjetorit të shtetit të Kosovës.

Me këtë rast, MPJ i fton qytetarët që të postojnë në rrjetet sociale fotografitë më të mira të Kosovës duke përdorur thurjen #InstaKosova ose #InstaKosovo për t’u kualifikuar automatikisht në garën për 100 imazhet më të mira që do të figurojnë në botimin e tretë të librit #InstaKosova. Fotografitë mund të postohen pa kufizim, por ato do të  shpërblehen vetëm një herë  me para. 10 prej tyre fitojnë nga 50 euro, ndërsa fotoja më e mirë do të shpërblehet me 500 euro.

Përmes kësaj gare Kosova edhe sivjet freskohet me foto të reja që ilustrojnë më së miri periudhën nëpër të cilën kemi kaluar vitin e fundit si vend dhe shoqëri.

Nga më shumë se 40 mijë foto të postuara sivjet, InstaKosova ka mbledhur deri më tash lloj-llojshmëri fantastike imazhesh që e dokumentojnë trashëgiminë e vendit tonë, ritualet tona dhe koloritin kulturor që e ofrojnë ato. Në fotot e postuara deri më tani, bota e internetit sheh një galeri masive të imazheve që krijojnë një ide mbi të rinjtë e Kosovës, arkitekturën e re të shtetit tonë të ri, kulturën e machiattos, party-t e shumta dhe festivalet gjithandej nëpër Kosovë.

Në të gjitha rrjetet sociale ne tashmë qartë shohim një dokumentim të rrugëtimit evropian të vendit tonë apo edhe të rrugës drejt çmimit OSCAR. Juria e cila do të përzgjedhe fotot më të mira të këtij edicioni përbëhet nga emra të dëshmuar të peisazhit kulturor në këtë pjesë të botës:

Agron Dragaj, fotograf i pavarur kosovar, i cili aktualisht jeton në Nouakchott të Mauritanisë. Përgjatë punës së tij njëzetvjeçare, Dragaj ka mbuluar ngjarje të rëndësishme në pjesë të ndryshme të botës, si: Balkan, Afganistan, Irak, Tajlandë, Birmani, Kamboxhia, Pakistan, Mindanao – Filipine si dhe, së fundmi, në Afrikë.

Arjeta Emra, drejtoreshë e British Council, një nga rrjetet më të mëdha botërore të qendrave kulturore dhe programeve për këmbim kulturor. Zyra e British Council në Kosovë ka qenë gjithmonë në ballë të ngjarjeve kryesore kulturore në Kosovë si dhe programeve kulturore jashtë vendit.

Dafina Zeqiri, yll i muzikës  pop dhe RnB në Kosovë, me ndikim të madh në të gjitha vendet shqipfolëse. Njihet po ashtu si këngëtarja më e ndjekur në rrjetet sociale, me mbi 1 milion ndjekës në Instagram, Twitter dhe Facebook.

Daniel Cosentino, është artist në multimedia, puna e të cilit përfshin bashkëpunim me disenjatorë, artistë, koreografë, arkitektë dhe planifikues urban. Njihet për punën e tij të jashtëzakonshme me studentët e AUK, ku është njëherësh zëvendëspresident për Çështje Akademike, si dhe drejtor i programeve akademike të RIT në AUK.

Majlinda Hoxha, fotografe e pavarur nga Kosova. Mban titullin e magjistres së Arteve të Bukura nga Universiteti i Auckland, në Zelandë të Re. Kurse në Kosovë njihet për punët e saj në fotografi konceptuale si dhe për bashkëpunime me artistë e disenjatorë të ndryshëm vendorë.

Libri #InstaKosova përmbledh fotot fituese të edicionit të tretë të kësaj gare. Ky libër do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore gjithandej botësdhe në ambiente të ndryshme të artit e kulturës. Edhe kësaj radhe, punimet e fituesve do të ekspozohen përgjatë tërë vitit në faqen zyrtare instakosova.com.

Edicioni i fundit i kësaj gare nxori fituese 17-vjeçaren Sara Rodiqi nga Prishtina me foton e shkrepur në kamp të festivalit “NGOM” në Prizren. Botimi i librit është shoqëruar me një ekspozitë të të gjitha fotografive fituese. InstaKosova mbetet në mesin e publikimeve më autentike të shtetit të Kosovës si për audiencën e saj ashtu edhe për atë ndërkombëtare. Kjo garë është iniciuar dhe vazhdon të mbështetet nga British Council, Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

SHKARKO APP