Haradinaj: Diaspora e gjallëron jetën në Kosovë, qeveria të lejojë lëvizjet pa kufizime

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të hiqen ndalesat e qarkullimit deri pas festave për shkak të lëvizjes së lirë të bashkëatdhetarëve.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, Haradinaj ka thënë se ardhja e bashkatdhetarëve tanë e gjallëron jetën dhe ekonominë në Kosovë.

“Festat e fundvitit e gjallërojnë jetën në Kosovë, familjet tona dhe po ashtu ekonominë e vendit. Zakonshëm po ndodh edhe këtë vit, pavarësisht rrethanave pandemike, sikurse edhe në rrethanat e vështira historike për shqiptarët, mijëra bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se bashkatdhetarët po hasin në vështirësi gjatë arritjes në shtëpitë e tyre.

“Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre. Mirë se vini bashkatdhetarë! Atdheu ju mirëpret!”, është shprehur Haradinaj.

SHKARKO APP