“Haradinaj drejton një parti rajonale”, 13 nga 14 deputetët e rinj nga e njëjta zonë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit mori rreth 11.57% të votave, me të cilat siguroi 14 deputetë në Kuvend, 13 nga të cilët janë nga zona rajonale e Dukagjinit. Njohësit e çështjeve politike po vlerësojnë që AAK-ja nuk po arrin të bëhet parti nacionale.
Ky tubim ishte veç një pjesë e fushatës elektorale në Deçan të cilën po e organizonte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vite më parë.
Shumë vite pas, rrethanat politike kanë ndryshuar, por figurat e partisë mbeten të njëjta. Lista e kandidatëve për deputetë të koalicionit AAK-PSD në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit ofronte plot 110 emra.
Por vetëm 14 prej tyre arritën që të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Përveç që do të jenë deputetë, të gjithë këta anëtarë të AAK-së kanë diçka të përbashkët, ata vijnë nga Dukagjini.
Nga kjo anë është vet bartësi i listës, Ramush Haradinaj. Madje gjashtë kandidatët fitues të AAK-PSD kanë të njëjtin qytet të lindjes.
E fituesit e kësaj partie vijnë edhe nga Gjakova. AAK-në nga ky qytet e përfaqësojnë Teuta Haxhiu e Pal Lekaj.
As Peja nuk i ka lënë pa karrige bashkëvendësit e saj. Pejanët do të përfaqësohen në Kuvend me Ali Berishën e Arbër Tolajn, Gazmend Syla. Nga Istogu është zgjedhur Bekë Berisha e Donika Kadaj-Bujupi.
Njohësit e çështjeve politike, po e cilësojnë një fenomen të tillë si një sëmundje të partisë. Rasim Alija thotë që AAK nuk po arrin që të bëhet një parti e nivelit nacional.
“Aleanca nuk po mundet me kalu atë sëmundjen që e ka, sëmundja e aleancës është thjesht një parti rajonale, kemi parasysh faktin që të gjithë deputetët vijnë nga rajoni i Dukagjinit”, ka thënë Alija, transmeton T7
Sipas Rasim Alijajt, votuesi i Aleancës dallon nga votuesit e subjekteve të tjera.
“Votuesi i aleancës është më militant sesa subjketet e tjera politike lidhet për individin dhe liderin kjo ka ndodhë me rizgjedhjen e tyre”, ka thënë Rasim Alijaj.
Në mesin e 14 deputetëve të zgjedhur nga koalicioni AAK-PSD është edhe Albena Reshitaj e cila vije nga Suhareka.