Haradinaj dyshues ndaj Kurtit: A mos po fshihesh prej Serbisë?
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk ka kursyer kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Në seancën e sotme në Kuvend, ai ka thënë se ka konstatuar që deputetët kanë përpara një kryeministër që ‘ka zgjedhur ikjen dhe fshehjen’.
“Konstatoj që kemi përpara një kryeministër që ka zgjedhur ikjen dhe fshehjen. A po ikën prej Vetëvendosjes, prej kauzës që ka ndërtuar ndër vite, prej atyre që kanë sakrifikuar për këto kauza, me sakrifica sublime deri në flijim? Nuk besoj që njerëzit që i kanë besuar në kauzën që e ka përfaqësuar Kurti, i besojnë ende… A po fshihet prej Serbisë, mos prej Serbia për ndonjë arsye ka ndonjë fuqi mbi kryeministrin tonë. A mundet që kryeministri po fshihet prej aleatëve ndërkombëtarë që e kanë sjellë në pushtet. A është e çuditshme që një eurodeputet në Parlamentin e BE-së, e pyet kryeministrin tonë ‘a po i ndërron parimet?’”, ka thënë Haradinaj.
Më tej, ai ka pyetur si është e mundur që kryeministri i Kosovës të shkojë në dialog të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, pa kërkuar pjesëmarrjen e SHBA-ve.
“Pse unë po mendoj që kryeministri jonë po fshihet edhe prej Amerikës? Si guxon kryeministri i Kosovës të shkojë në takime që janë nën patronatin e BE-së, pa Amerikën? Pse kryeministri i Kosovës nuk po i drejtohet me një kërkesë Amerikës për një emisar special në dialog, të dërguar nga Amerika. Presidenti amerikan, Joe Biden është një ndër të parët që ka luftuar për çështjen shqiptare. Ai e njeh Kosovën, e njeh çështjen e Kosovës, pse po hezitojmë të kërkojmë ndihmë nga Biden. E kemi dëgjuar kryeministrin pse nuk ka kërkuar ndihmë nga ish-presidenti Trump, po nga Biden pse nuk po kërkoni? Pse kryeministri flet për ‘palët’, ti duhet të flasësh për vete. Shpjego kush është Kosova, ta kuptojnë evropianët kush jemi, i ke viktimat e luftës, ke dëme sa të duash. Ne nuk jemi palë me Serbinë, jemi viktimë e din e gjithë bota”, ka thënë Haradinaj.