Haradinaj: E duam dhe ne një Byro Kombëtare Hetimi
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje nga posti i deputetit ka dalë me dy propozime për institucionet e Kosovës: transformimin e FSK-së në Ushtri dhe themelimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve. Ai ka thënë gjithashtu se do të miratohet edhe infrastruktura e duhur ligjore e kushtetuese për të realizuar reformat në këto fusha.
Ja çfarë shkruan konkretisht Haradinaj:
“Janë dy fusha që kërkojnë reforma institucionale për të kompletuar sistemin e sigurisë nacionale dhe rendit e ligjit në Kosovë.
- Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës
Ku përfshihet ndryshimi i misionit, mandatit, detyrave, përgjegjësive, numrit të pjesëtarëve, buxhetit, pajisjeve dhe infrastrukturës;
- Themelimi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve –BNH
Që do të jetë mekanizëm i sistemit të drejtësisë penale të Republikës së Kosovës, i vendosur te Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të jetë i specializuar për të hetuar krimet; të ketë homologun e vet në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës, që do të të ketë emër të ngjashëm – Policia BNH; si dhe në sistemin gjyqësor – Departamenti Gjyqësor për Rastet Penale nën Juridiksionin e BNH-së. BNH do të jetë përgjegjëse për luftimin e terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë.
Programi ynë për këto reforma është i bazuar në nevojat e domosdoshme për funksionalizimim e sigurisë nacionale dhe rendit e ligjit në Kosovë. Do të hartojmë dhe miratojmë infrastrukturën e duhur ligjore e kushtetuese për të realizuar reformat në këto fusha”.