Haradinaj: Evropa s’mund të jetë e lirë, kur populli më i vjetër i kontinenti nuk është
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur se Bashkimi Europian duhet të hapë negociatat me Shqipërinë dhe të liberalizojë vizat për Kosovën. Në 20 vjetorin e përkujtimit të dëshmorëve në luftën e Kosovës, Haradinaj tha se Evropa nuk mund të jetë kurrë e lirë nëse populli më i vjetër në kontinent nuk është i lirë.
Kryeministi kosovar u shpreh se Evropa nuk po lejon qytetarët kosovarë të lëvizin të lirë në territorin e vet.
“Evropa duhet të hapë negociatat me Shqipërinë. Evropa duhet ti japë liberalizim popullit të Kosovës.
Si ka mundësi Evropa me qenë e lirë,e me pas liri të plotë nëse një popull, më i vjetri i Evropës nuk është i lirë, shqiptarët? Është e pamundur të konstatohet se Evropa është e lirë, jeton në liri, ka liri nëse populli që është më i vjetri në këtë kontinent nuk është i lirë.
Njërit nuk i jepet mundësia e lirisë, i vonohet ose i ka shkuar kohë e gjatë për negociatat me i dhënë status të barabartë e të lirë në familjen e popujve. Tjetrit, Kosovës i vonohet e drejta për të lëvizur i lirë në territorin e vet, në Evropë.
Duke qenë kështu ne do të punojmë për ato vlera që dikur kanë vdekur më të mirët tonë , për ato vlera që i kemi interes jetik. Jemi në punë, jo çdo ditë rezultatet e punës do ti raportojmë por do ti raportojë koha dhe momentet kyçe të rezultateve.”
/Ora News