Haradinaj: Fatkeqësi për vendin një qeveri të dalë nga marrëveshja mes Mustafës dhe Thaçit
Siç është bërë zakon, jo vetëm në Kosovë, nëpërmjet një statusi në Facebook, Haradinaj e ka quajtur fatkeqësi për vendin një qeveri të dalë nga marrëveshja mes Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, duke kujtuar se një qeverisje e tillë pati dështuar më parë, në periudhën 2008-2010.
“Përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Të dyja shkollat e tyre të qeverisjes, në Kosovë dhe në Prishtinë janë dëshmuar si të dështuara”, shkruan Haradinaj, duke kujtuar kohën kur Mustafa ishte kryetar i komunës së Prishtinës.
Sipas Haradinajt, është çështje kohe që të dy të dështojnë sërish.
Duke folur tashmë si opozitar, Hardinaj ka premtuar se do të bëjë gjithçka për të kërkuar përmbushjen e premtimeve parazgjedhore, si hapja e 320 000 vendeve pune, luftimin e korrupsionit dhe përparimin në rrugën drejt integrimit europian të Kosovës.
Edhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, i cili është një prej figurave kryesore të Nismës për Kosovën, ndihet i tradhëtuar nga Mustafa dhe vendimi i tij për t’u bashkuar me Thaçin.