Haradinaj: Gjermania mbështet reformat në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili ka thënë se duhet vazhduar ndihma për Kosovën. “Jam i lumtur që të ndaj me ju deklaratën mbështetëse që vjen nga Gjermania mike, për reformat e ndërmarra shtetërore.

Në intervistën e dhënë për gazetën gjermane Stuttgarder Nachrichten, kushtuar Kosovës, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas e ka vlerësuar lartë angazhimin e Qeverisë së vendit tonë duke thënë se ‘reformat, të cilat janë kryer atje, janë mbresëlënëse dhe kjo duhet të pranohet”, ka shkruar kryeministri Haradinaj, në rrjetin social, Facebook.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se deklarata e ministrit Mass është “një rikonfirmim se mbështetja e parezervë e Gjermanisë për Kosovën është rezultat i partneritetit të ngushtë e të sinqertë me shtetin gjerman, si dhe është vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën evropiane të Kosovës”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka thënë për gazetën gjermane “Stuttgarter Nachrichten” se qeveria gjermane e konsideron të gabueshme mundësinë që Bashkimi Evropian dhe Gjermania të heqin dorë nga mbështetja për Kosovën, përfshirë këtu dhe ndihmën financiare.

SHKARKO APP