Haradinaj: Kosova e vendosur në misionin e çrrënjosjes së ISIS-it

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova qëndron e “paluhatur” në misionin për çrrënjosjen e grupit militant, Shteti Islamik si dhe elementeve të tjera të ekstremizmit të dhunshëm.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se është duke përcjell me vëmendje operacionin e largimit të trupave ushtarake amerikane nga Siria.

Kosova, sipas tij, do të vazhdojë të “jetësojë përgjegjësitë dhe rolin e saj” në operacionet për siguri, si pjesë e koalicionit botëror kundër IS-it që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova si pjesë e Koalicionit Global kundër ISIS qëndron e paluhatur në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm! Jemi duke e përcjellur me vëmendje operacionin e largimit të trupave ushtarake amerikane nga Siria, pas mundjes së kalifatit territorial ndaj ISIS-it. 

Në partneritet të plotë me ShBA dhe aleatët e koalicionit global, kundër ISIS, Kosova qëndron e paluhatur në misionin e mundjes së qëndrueshme dhe çrrënjosjes së ISIS dhe elementeve tjera të ekstremizimit të dhunshëm, globalisht. 

Duke marrë parasysh se fitorja në Siri nuk sinjalizon fundin e Koalicionit Global kundër ISIS, Kosova si pjesë e këtij Koalicioni në këtë luftë, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendosmëri do të vazhdojë t’i jetësojë përgjegjësitë dhe rolin e saj ndaj sigurisë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare”- shkruan Haradinaj.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjatë kësaj jave ka njoftuar se trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria, pasi siç është shprehur ai, ata kanë përfunduar me sukses misionin e tyre kundër IS-it, dhe se këto trupa më nuk janë të nevojshme në këtë shtet.

SHKARKO APP