Haradinaj-ndërkombëtarëve: Mjaft me presione ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj iu ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtar që të ndalojnë presionet ndaj tij për heqjen e taskes ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Sipas Haradinajt, është Beogradi që po bllokon vazhdimin e dialogut dhe jo Prishtina me taksën ndaj produkteve serbe.

Haradinaj vazhdon të mos heq dorë nga qëndrimi i tij për taksën ndonëse e pranoi se kërkesa e njëjtë i është bërë në vizitat e fundit nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania e Britania. Ai tha se të gjithë janë aleatë të Kosovës, por se Serbia është ajo e cila nuk është e interesuar për të vazhduar dialogun. “Bashkësia ndërkombëtare nuk mund t’i thotë Serbisë të kthehet në dialog, atëherë i bën presion Kosovës që është më e vogël”.

Sipas tij, ndonëse kanë qëndrime të ndryshme për taksën, liderët institucionalë në thelb pajtohen për shumë gjëra, siç është platforma për dialog. “Nuk mund të thuash që Kosova s’po flet me një zë kur është platforma, që u votua me ligj”.

SHKARKO APP