Haradinaj: Nuk mund të talleni me ne, jemi 7 milionë shqiptarë
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj nga Lubjana ka thënë se janë 7 milionë shqiptarë në Ballkan gjë që duhet ta dijë edhe Sllovenia dhe ta ndalë talljen me shqiptarët.
Në një intervistë për RTK-në Haradinaj tha se kjo ‘lojë e ndytë’ duhet të ndalet menjëherë.
Ramush Haradinaj thotë se ka një tendencë në Ballkan të talljes me shqiptarët, por se po harrohet se janë 7 milionë të tillë.
“Është një lojë e ndytë e tyre, është një praktikë e talljes me shqiptarë e që duhet ta dinë të gjithë se edhe shqiptarët jemi 7 milionë në Ballkan e të paktën këta që kanë qenë në ish-Jugosllavi nuk mujnë me u tallë me ne”, tha Haradinaj.
Tha se ndalimi i tij është një lojë e ndytë e cila duhet të ndalet menjëherë.
“Është një lojë e ndytë e shtetit slloven, e autoriteteve të këtushme. Ata që po bëjnë lojë të ndytë le ta ndalin lojën e ndytë, qoftë autoritetet sllovene qoftë kushdo qoftë edhe në Kosovë në qoftë se është pjesë e kësaj loje të ndytë”, tha ai.
Haradinaj komentoi edhe rezolutën e nxjerr sot nga Kuvendi i Kosovës.
“Kuvendi ynë ka kry detyrën e vetë. Deputetët kanë kry detyrën e vetë. Për këto raporte Slloveni-Kosovë përgjegjësinë e mbanë Lubjana me veprimet e veta të paskrupullta që janë idioteske që thirret në një fletëarrestë të Interpolit të Beogradit”, tha Haradinaj.
Ai tha se nuk e di se kur do të kthehet në Kosovë.
“Kur të ma japin dokumentin e udhëtimit në bazë të procedurave vi në Kosovë”, tha Haradinaj. /Zeri/