Haradinaj publikon mesazhin e Presidentit Meta: Urim i veçantë nga një mik që punon për të mirën e dy shteteve tona
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka publikuar në Facebook urimin që ka marrë për vitin 2020 nga kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta.
Duke shprehur mirënjohje për vlerësimin nga kreu i shtetit, Haradinaj deklaron se nga Presidenti i Shqipërisë ka marrë konfirmimin dhe gatishmërinë për fuqizimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në prag të festës së ndërrimit të moteve kam pranuar një letër urimi nga presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta. Me urimet më të mira për Vitin e Ri 2020 nga z. Meta, si President i Shqipërisë, por edhe si një mik shumë i afërt i imi, pata kënaqësinë si çdoherë që edhe përmes kësaj letre të marrë edhe njëherë konfirmimin nga ana e tij për gatishmërinë që dy shtetet tona të ndërtojnë dhe fuqizojnë lidhjet, në të mirën e përbashkët të qytetarëve tanë.
Faleminderit z. Meta. Urimet tona më të mira edhe për ju dhe Shtetin tuaj! RH”,- shkruan Ramush Haradinaj në mesazhin e tij.