Haradinaj, reforma radikale në partinë e vet
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se hapat e fundit të kësaj partie do të shkojnë drejt asaj që në strukturën e Aleancës nuk mundet me depërtu askush që ka bërë shkelje të ligjit në Kosovë.
“Për këtë do të jemi të gjithë të angazhuar. Në këtë do të angazhohem edhe vetë personalisht që në Aleancë mos të angazhohen njerëz, shkelës të ligjit”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka pranuar se e vërtetë është që edhe ai personalisht ka bërë gabime.
“Një gabim ka qenë edhe qasja pasi erdha nga Haga – duke tentuar që të ndryshohet gjendja në vend. Unë kam besuar në 2012 që ekziston arsyeja që të ndryshohet gjendja. Së fundi jam bindur që ka qenë gabim për të ftuar PDK që të reflektojë për ndryshimin e gjendjes, meqenëse ishte fajtore për gjendjen”, ka thënë ndër tjerash lideri i AAK-së.
Duke folur për gjendjen brenda partisë, sipas tij, nëse janë bërë gabime kanë qenë edhe si rezultat I mungesës së tij fizike.
“Kam qenë për më se dy vite jashtë Kosovës, realisht tetë vite vështirësi në ushtrimin e institucioneve. Por edhe pse kam ardhur ka qenë jo e lehtë për me e lexu gjendjen në teren. Një tolerancë e tillë, një jo vigjilencë, është një gabim për një udhëheqës të organizate”, ka pranuar Haradinaj.
Sipas tij, reforma në AAK, do të fillojë pikërisht nga ai si lider.
“Nëse unë do ta marrë përsipër të shqyrtojë gabimet që kam bërë, kjo do të reflektojë edhe tek strukturat. Ne shkojmë nga një hap më tutje. Do të ndërtojmë edhe një komision të ankesave, ku qytetarët mund të sjellin informata rreth asaj se kush po bie ndesh me ligjin”, ka premtuar Ramush Haradinaj.
Në emisionin Debat në RTK, ai ka vlerësuar se kjo që po përballet Aleanca, nuk është vetëm produkt i Aleancës.
“Me dobëismin e prokurorisë, në Kosovë është e vërtetë që në Kosovë ka fajde, ka haraq… Ne kemi reaguar shpeshherë për keqpërdorimin e emrit të Aleancës, edhe për emrin tim, mirëpo në këtë rast ne kemi shkuar një hap më tutje”, ka thënë Haradinaj.