“Haradinaj”, Tahiri: Shqipëria të shprehë qëndrime të qarta ndaj Serbisë

Ministrja e Dialogut në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri reagoi lidhur me arrestimin e Ramush Haradinaj, duke shtuar se “Serbia po bën këto përpjekje për të vënë në hije përgjegjësinë që ka Serbia në shkatërrimin e Kosovës”.

Në një intervistë telefonike ekskluzive për ‘Ora News’, Edita Tahiri u shpreh se diplomacia shqiptare duhet të jetë e qartë lidhur me qëndrimin e saj ndaj Serbisë pas arrestimit të Ramush Haradinajt”.

“Dua të jap porosi dhe për diplomacinë e Shqipërisë, meqë ka pasur kontakte dhe vizita reciproke mes dy shteteve. Ky është një kanal i rëndësishëm komunikimi. Shqipëria të shprehë qëndrime të qarta në raport me Serbinë dhe sjelljet jo europiane dhe destruktive të saj. Në këtë rast dhe zëri i Shqipërisë dhe për rastin e Haradinajt duhet të dëgjohet më i qartë. Ndalesa e zotit Haradinaj dje në aeroportin e Bazelit është si rezultat i destruksionit të Serbisë, që vazhdon të përdorë disa fletë arresti mbi luftëtarët e UÇK-së dhe që janë të kundraligjshme. Kjo sjellje e Serbisë tregon barbarinë e politikës serbe e mosgatishmërinë për të marrë përgjegjësinë për luftën dhe genocidin që ka bërë në Kosovë. Ajo bën këto përpjekje për të vënë në hije përgjegjësinë që ka Serbia në shkatërrimin e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Sipas saj, “ne kemi shprehur qëndrimin tonë të qartë se partnerët ndërkombëtarë duhet të merren seriozisht me Serbinë dhe sjelljet e saj jo stabilizuese, jo vetëm në raport me Kosovën por edhe me rajonin dhe BE do të përdorë mekanizmin e dialogut dhe po bën angazhimet maksimale për të ndërhyrë tek Serbia që të heqë fletë-arrestin e menjëhershëm të tij”.

SHKARKO APP