Haradinaj: Taksa 100% nuk hiqet pavarësisht kush është kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, nuk do të hiqet deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Të martën, pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se ky qëndrim do të mbetet i pandryshuar pavarësisht se kush është kryeministër apo ministër i Tregtisë.

“Tarifa nuk do të hiqet, ai vendim do të konsolidohet si qëndrim i Kosovës pavarësisht kush është kryeministër, deri në njohjen e Kosovës ky vendim nuk ndryshon”, tha Haradinaj, raporton REL.

Qeveria e Kosovës i ka dy kërkesa për BE-në, që sipas Haradinajt, janë normalizimi i dialogut pasi “vlerësojmë se procesi ka dalë nga kontrolli” si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

Megjithatë, Haradinaj tha se, liberalizimi i vizave nuk ndërlidhet me vendosjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Deklarimet e kryeministrit Haradinaj bëhen një ditë pasi Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, komisionarja për Tregti e BE-së, Cecilia Malmstrom, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, përmes një letre kanë shprehur zhgënjimin e tyre për shkak të mbajtjes në fuqi të taksës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

SHKARKO APP