Hashim Thaçi: Edhe unë jam në listën e Serbisë, ja pse nuk arrestohem

Teksa Ramush Haradinaj mbahet i izoluar në Francë për shkak të një urdhër-arresti serb, Presidenti i të njëjtit shtet, Kosovës, gjendet në SHBA, ku do të marrë pjesë në inaugurimin e administratës së re të Donald Trampit. Ai ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës ku ndër të tjera ka fajësuar BE për ndalimin e Haradinajt në Francë. Sipas tij, vetëm BE mund të bindë Serbinë për heqjen e  ish-luftëtarëve të UÇK-së nga kërkimi policor ndërkombëtar. Po kështu tha Thaçi tha se edhe emri i tij gjendet në atë listë por nuk arrestohet, pasi është në pushtet.

Zëri i Amerikës: Zoti president, ju erdhët në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Kosovë ka filluar një krizë e re pas arrestimit të ish kryeministrit Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze bazuar në një urdhër-arresti të qeverisë së Serbisë. Çfarë ndikimi do të ketë ky zhvillim për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe procesin e normalizimit të këtyre marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Besoj se ky akt arbitrar i ndalimit të zotit Haradinaj dhe ndalimet e mëhershme të miat, të zotit Nehat Thaçi, të kryeministrit Çeku dhe të luftëtarëve e komandantëve të tjerë të Ushtrisë së Kosovës paraqesin një akt ofendues për dinjitetin e shtetit tonë dhe për qytetarët tanë. Është një veprim i politikës së vjetër të Serbisë sikur në kohën e Sllobodan Milosheviçit. Serbia, pasi humbi betejat në luftën me Kosovën, pasi humbi betejën për të penguar pavarësinë e Kosovës, tani me çdo kusht përpiqet për t’i paraqitur si të kriminalizuar liderët politikë të Kosovës. Edhe kjo tendencë do të dështojë, prandaj lirimi me kusht i zotit Haradinaj më së pari është një veprim i mirë që ka ndodhur, në anën tjetër është i pamjaftueshëm dhe do të duhej që pa asnjë kusht të lirohej dhe të kthehej në shtëpinë e vet dhe në axhendën e tij politike.

Në të njëjtën kohë vetë Bashkimi Evropian do të duhej të ishte shumë më i qartë në raport me Serbinë që gjërat të tilla të mos lejohet të bëjë, sepse po ato programe që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian e kanë luftuar regjimin e Sllobodan Milosheviçit dhe vetë liderët e atyre vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qënë akuzuar me akuza të njëjta nga regjimi i Sllobodan Milosheviçit, duke filluar nga presidenti Clinton, presidenti Jacque Shirac gjithashtu ministri i Jashtëm (Joshka) Fisher, Tony Blair. Të gjithë ata njerëz që kanë qënë në krye të përgjegjësive shtetërore, qoftë në SHBA, qoftë në vendet e Bashkimit Evropian apo në Nato, kanë qenë akuzuar me akuza të tilla fallco apo të rreme nga ana e regjimit të Milosheviçit dhe të vazhduar nga qeveritë aktuale. Prandaj është një veprim kriminal i shtetit të Serbisë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se gjatë viteve të kaluara, kur keni qenë ju në qeveri ose qeveria e tanishme duhet të kishte bërë më shumë në bisedimet me Beogradin që të ishte zgjidhur, të ishte kaluar çështja e urdhër-arresteve të Serbisë, të cilat janë të vjetra, kanë disa vite që janë në fuqi por nuk janë zgjidhur?

Hashim Thaçi: Kosova nuk e ka atë mundësi që ta bindë Serbinë për heqjen e këtyre fletë-arresteve, për arsye se, duhet të sqaroj, që të gjithë ne ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi në atë listë. Ndërsa ata që janë mbartës të institucioneve e fitojnë një lloj imuniteti nga vendet evropiane ku lëvizin, por nuk hiqen nga lista, por vetëm është një ngrirje e atyre fletë-arresteve. Unë kur kam qenë në opozitë, vetë jam ndaluar në Budapest dhe e ndiej edhe gjendjen e zotit Haradinaj, edhe bashkëluftëtarëve të tjerë, kur u ndodhin gjëra të tilla, por Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë, i saktë dhe i vendosur në presionin e drejtpërdrejtë ndaj Serbisë. Serbia nuk mund të lëvizë drejt Bashkimit Evropian me qasjen e mentalitetit të Sllobodan Millosheviçit, prandaj këtu faji kryesor për këtë ndalim është mospresioni i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë.

Institucionet e Kosovës kanë qenë të gjitha të mobilizuara dhe kanë kryer obligimin e vet kushtetues dhe ligjor ndaj këtyre çështjeve për aq sa kanë mundësi dhe kanë fuqinë e vet. Unë këtë çështje e kam ngritur edhe në Uashington dhe kam telefonuar përsëri edhe në Bruksel. Ne do ta diskutojmë edhe në ditët e ardhshme që njëherë e përgjithithmonë kjo çështje të mbyllet plotësisht. Është plotësisht e padrejtë dhe në të njëjtën kohë është qasje që e lëndon përpjekjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin Kosovë-Serbi.

SHKARKO APP