Hashim Thaçi lë qelinë në Hagë dhe shkon në Kosovë

Që prej nëntorit të vitit 2020, Hashim Thaçi ndodhet në Hagë, por sot mësohet se ndodhet në Kosovë. Thaçi është liruar për disa orë me leje nga Gjykata Speciale, pasi gjendja shëndetësore e nënës së tij nuk është e mirë.

Mediat në Kosovë kanë publikuar disa pamje nga fshati Burojë ku është shtëpia e prindërve të Thaçit. Forca të shumta të sigurisë janë parë në Burojë, ku siç mësohet Thaçit i është lejuar t’i takojë vetëm prindërit e tij dhe askënd tjetër prej anëtarëve të tjerë të familjes.

Në afërsi të shtëpisë së familjes Thaçi në Burojë është i vështirësuar edhe komunikimi, pasi siç duket për shkak të masave të sigurisë është ndërprerë edhe rrjeti i internetit dhe telefonisë.

Nëna e ish-presidentit Thaçi ka dalë pak ditë më parë nga QKUK-ja, ku ishte shtruar për 5 ditë radhazi. Ajo tani është duke u trajtuar nga mjekët në kushte shtëpiake. Vizitën e Thaçit e ka konfirmuar edhe Gjykata Speciale.

SHKARKO APP