Hashim Thaçi: Nuk brengosem për taktikat serbe, kemi përkrahjen globale

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas” ka thënë se reagimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në UNESCO bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar midis Beogradit dhe Prishtinës.

‘’I kemi dërguar një notë proteste të gjithë anëtarëve të UNESCO-s për shkak të gjuhës që përdorin zyrtarët serbë, e cila është krejtësisht e papranueshme.  Në esencë, faza e fundit e Marrëveshjes së Brukselit ka të bëjë me atë që Serbia më në fund të pranojë planin e Ahtisarit. Kosova dhe Serbia gjithnjë e më shumë po e betonojnë ndërveprimin e tyre si dy shtete të pavarura’’, ka thënë z.Thaçi.

‘’Jam shumë i lumtur për shkak të mbështetjes së madhe globale që kemi marrë që nga fillimi i këtij procesi. Kemi filluar që në janar me fushatën tonë pozitive informative, të fokusuar në nevojat e Kosovës në lidhje me arsimin, shkencën, ndryshimet klimatike, kulturën. Javën e kaluar, 44 shtete e mbështetën kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO për t'u përfshirë në agjendën e Bordit Ekzekutiv. Nëse shikoni në agjendën e këtij bordi në vitet e fundit, ky ishte një numër rekord i vendeve që janë bashknënshkruese të iniciativës dhe tregon se ekziston argument i gjerë në botë se Kosova nuk duhet të mbetet e izoluar, por të integrohet në bashkësinë ndërkombëtare’’, tha në një intervistë për Danas Hashim Thaçi, zëvendës kryeministër dhe shef i diplomacisë kosovare, duke komentuar lëvizjet e fundit të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. 

‘’Reagimet janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, dhe në disa pjesë janë gjithashtu të papranueshme. Ne i kemi dërguar një notë proteste të gjithë anëtarëve për shkak të gjuhës që përdorin zyrtarët serbë, e cila është krejtësisht e papranueshme. Ambasadori serb në Paris bëri thirrje për një lloj të frontit të krishterë kundër Kosovës, e cila folur butë, është reagim shumë ekstremist. Unë mendoj se shumica e vendeve të UNESCO-s e vlerëson atë se ne nuk jemi të angazhuar në një fushatë të ngjashme negative, dhe, të them të vërtetën, nuk brengosem për taktikat serbe, unë jam i përqendruar në mbledhjen e votave për të rinjtë e Kosovës që të fitojnë të njëjtat mundësi si të gjithë të rinjtë e tjerë në botë duke marrë pjesë në trupin global dedikuar kulturës, arsimit, shkencës, shtoi z. Thaçi. ‘’Kemi një strategji mirë të zhvilluar që përbëhet nga disa faza. Tani do të përqendrohemi në atë që të marrim një rekomandim pozitiv të Bordit Ekzekutiv në tetor dhe pastaj edhe për të marrë një shumicë prej dy të tretash në nëntor. Kemi shpërndarë me mijëra materiale, libra, botime dhe do të vazhdojë të sigurojmë informacione të përshtatshme nga Kosova. Jemi shumë të nderuar që na kanë mbështetur aq shumë shtete. 

‘’Në thelb, faza e fundit e Marrëveshjes së Brukselit ka të bëjë me atë që Serbia më në fund të pranojë planin e Ahtisarit. Ata i kanë humbur shtatë vjet, por tani, hap pas hapi, po i pranojnë të gjitha elementet e planit të Ahtisarit. Ju mund të pyesni se pse kanë shpenzuar aq shumë kohë, por siç themi ne në Ballkan, më mirë vonë se kurrë. Implementimi është kyç, e poashtu është me rëndësi jetike edhe sjellja në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Në Bruksel, qeveria serbe është shumë e vullnetshme të tregojë sjellje të fqinjësisë së mirë ndaj Kosovës, por pastaj në Paris apo Nju Jork, ata edhe më tutje e përdorin gjuhën e së kaluarës të Millosheviqit. E kuptoj se është periudhë parazgjedhore në Serbi, dhe si gjithmonë ata e përdorin Kosovën për të fituar pikë nacionaliste në publik, por siç e kemi parë në Bruksel, Kosova dhe Serbia gjithnjë e më shumë po e betonojnë ndërveprimin e tyre si dy shtete të pavarura. Sistemi i energjisë tani do të funksionojë në përputhje me ligjet e Kosovës, sistemi telekomunikacionit do të integrohet në rrjetin e rregullatorit të Kosovës, kurse Bashkësia (e komunave serbe)  do të funksionojë pa fuqi ekzekutive, në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. 

Kosova do të ketë forcat e armatosura, sepse kjo nuk është vetëm dëshirë, por edhe një domosdoshmëri e provuar. Kemi marrë mjaft mbështetje nga NATO për forcat tona të sigurisë dhe evoluimin e tyre, dhe tani poashtu e kemi përfunduar strategjinë e sigurisë. Forcat e armatosura të Kosovës do të jenë një ushtri multietnike nën kontrollin civil dhe është shumë mirë në qoftë se edhe politikanët serbë në Kosovë e shohin si kontribut për paqen dhe arkitekturën qëndrueshme të sigurisë në Ballkan. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm se këto forca duhet të integrohet në familjen atlantike të popujve në mënyrë që në kontakt të ngushtë me aleatët tanë të përfundojmë këtë transformim në mënyrën e duhur’’ tha në fund zëvendës kryeministri dhe shefi i diplomacisë kosovare z. Hashim Thaçi.

SHKARKO APP