Hashim Thaçi: Nuk dua të bëhem President
Postin e presidentit të vendit nuk e sheh si vepër jetike të tij por që thotë se marrëveshja mes dy partive PDK dhe LDK duhet të respektohet deri në fund. E bazuar në të, në fund të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga, në krye të të parit të vendit mund të vije Hashim Thaçi.
Kjo ka qenë vetëm njëra nga përgjigjet e shumta të ministrit të Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës në një intervistë për RTV Dukaginin.
“Nuk është ndonjë betejë e imja jetësore të jem apo të mos jem president i Republikës. Unë kam pasur mundësi dy a po tri herë deri tani të zgjidhem president, por natyrisht se ne do të respektojmë marrëveshjen me LDK. Si shumicë kemi 90 deputetë në Kuvendin e Kosovës – vlerësoj se zgjedhja e presidentit duhet të jetë një situatë e unifikimit të spektrit politik dhe qytetar, dhe assesi e ngatërresave dhe përplasjeve të paarsyeshme”, ka thënë Thaçi.
Thaçi më tej ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është këshillëdhënës për Qeverinë e Kosovës në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke paralajmëruar se ky opinion i kushtetueses do të respektohet në plotëni nga Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, nuk do të ketë rinegocioim të marrëveshjes për bashkësinë e komunave, por që vetëm duhet respektuar opinioni i Kushtetueses për statutin dhe dekretin e Asociacionit.
“Ne kemi marrë përgjegjësitë tona ndërkombëtare me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prill të 2013. Ne do të respektojmë si Qeveri opinionin këshillues dhe rekomandues të Gjykatës Kushtetuese që gjatë nxjerrjes së dekretit dhe Statutit të respektohet në plotni Kushtetuta e vendit, dhe kjo do të ndodh”, ka thënë ministri i Jashtëm.
Mos pranimi i Kosovës në UNESCO sipas Thaçit dëshmon se Kosova ka siguruar votat e 92 shteteve të fuqishme që janë përkrah Kosovës, derisa sipas tij Serbia me lobimin e saj që ka bërë kundër pranimit, ka treguar fytyrën e vërtetë të saj.
Vitin 2015 e ka cilësuar si vit të suksesshëm sa i përket diplomacisë kosovare duke thënë se edhe sa ka qenë kryeministër për dy mandate por edhe tash Kosova ka arritur të siguroi 111 njohje.
Veprimet e opozitës i ka quajtur si dëmtim i imazhit të vendit, përderisa sërish i ka ftuar ata që të dialogojnë për çështjet që ata kanë ngritur.
Sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, secili ka të drejtë të protestojë por jo dhunshëm dhe përmes gazit lotsjellës.
Nënshkrimi i MSA-së sipas Thaçit është njëra prej të arriturave më të mëdha të Kosovës, përderisa në vitin 2016 ka parashikuar formimin e Forcave të Armatosura dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të zonës Shengen.