Hashim Thaci shpërthen në akuza ndaj BE: As nuk do t’ia dijë fare për Kosovën

Hashim Thaçi ka reaguar ashpër në Facebook ndaj deklaratave të komisionarit, Johanes Hahn që tha se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me pretendime për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo është shenjë se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe të vizionit për Kosovën.

“Komisioneri Hahn i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe.Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla. Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”,- shkruan Thaçi në Facebook.

Sipas tij, kjo deklaratë dëshmon se BE-së nuk i bëhet vonë për Kosovën, duke vënë theksin tek diskriminimi dhe izolimi i kosovarëve.

“Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000”,- shkruhet në postimin e Thaçit në facebook.

Ai ka thënë se Shqipëria e Madhe është propagandë e Serbisë, pasi sipas tij nuk ka Shqipëri të Madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë.

“Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së.Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë.Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. HTH”, – ka përfunduar Hashim Thaçi.

Johanes Hahn gjatë takimit me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç i kishte cilësuar si të parapnueshme dhe nxitëse, deklaratat e Thaçit dhe Edi Ramës për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

SHKARKO APP