Haxhiu: Thaçi ka plan të rrezikshëm, Vetvendosje nuk do ta lejojë
Kriza politike në Kosovë është e thellë. Partia që fitoi më shumë vota në zgjedhje është Vetvendosja por disa javë më parë, LDK-ja përmes një mocioni në Kuvend rrëzoi qeverinë ku ishte pjesë. Çfarë do të ndodh? Ministrja e Drejtësisë në detyrë në Republikën e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka treguar në lidhje me takimin e djeshëm që ka pasur me Presidentin Hashim Thaçi.
“Po, unë isha dje në takimin jo kushtetues të Presidentit Thaçi, i cili kishte për qëllim të merrte opinionin e partive politike në raport me situatën aktuale. Ishte takim jo kushtetues për faktin se kushtetuta e Republikës së Kosovës në rrethana të tilla nuk lejon presidentin që të ftojë në takim partitë politike përveç subjektit që ka dalë fitues nga zgjedhjet. Ishte si një odë burrash, ku tentonin që përmes atij formati ta përmbysnin vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit, por padyshim nuk është ndonjë befasi pasi presidenti Thaçi ka kohë që orkestron këtë ndërmarrje të rrezikshme. Ai është duke u munduar që të bëjë gjithçka kundër Lëvizjes Vetvendosje”.
Ministrja e Drejtësisë, akuzon presidentin Thaçi për shkelje të kushtetutës dhe se po bën lëvizje të tilla në mënyrë që të realizojë një marrëveshje të rrezikshme për Kosovën. Nga ana tjetër, ajo thotë se VV nuk do ta lejojë një skenar të tillë.
“Duke qenë se është në muajt e fundit si President, nuk i bën përshtypje që po shkel kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për ne këtë veprime janë të papranueshme. Ne nuk jemi vetëm, ne kemi mbështetjen qytetare të konfirmuar në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, ku Lëvizja Vetvendosje ishte subjekti i parë dhe kryeministri Kurti ka marrë mbështetjen më të madhe prej qytetarëve të Republikës së Kosovës. Duhet të kuptohet edhe në Shqipëri se kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon manovra të tilla, pasi në këtë kushtetutë vetëm subjekti i parë fitues ka të drejtë të ftojë partitë e tjera për të bërë koalicion parazgjedhor. Presidenti Thaçi po i bën këto lëvizje në mënyrë që të realizojë një marrëveshje tepër të rrezikshme, që kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetvendosje nuk do ta lejojnë”,tha për “Euronews Albania”.