Haziri: LDK do e mbajë fjalën, do ta bëjmë Hashim Thaçin President

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ka reaguar për listat e veteranëve të zonës së Karadakut sepse ka shumë veteranë dhe dëshmorë që nuk janë në atë listë.

“Janë bërë dallime, edhe pas 15 pas lufte po na qesin hi syve duke futur në listë shokë, të afërt, miq, dajë… Zatën gjysma e nofkave në luftë kanë qenë “dajë”. Unë pushkën e kam pasur prej shtatorit të vitit 91. Gjatë luftës kam qenë në burg por ata që s’kanë qenë as në luftë as në burg duhet me tregu ku kanë qenë e që janë në lista”, ka thënë Haziri.

I pyetur nëse ka qenë pjesëtar i ndonjë formacioni, Haziri është përgjigjur: “Unë kam qenë udhëheqës i formacioneve në Karadak, kam qenë udhëheqës i regrutimit dhe i organizimit të trajnimeve të luftëtarëve në Shqipëri në kampe dhe struktura në Shqipëri, ku rol të veçantë ka pas Sali Çeku dhe Hafiz Gagica më shumë se gjithkush tjetër. Unë kam qenë njeriu kryesor në Anamoravë, pra kam qenë përzgjedhës për t’i dërguar në ushtrime ushtarake. Unë e di saktë me kë kam punuar në Ferizaj dhe saktë lidhjen time në Llap. Nesër Rrustem Mustafa – Remi del dhe thotë se Lutfi Haziri nuk ka qenë i organizuar dhe i strukturuar, sepse Ahmet Hoxha ka vdekur, është dëshmor në Ferizaj, por Shukri Buja është gjallë. Dalin njerëz dhe tregojnë ku ne e kemi shtrirë rrjetin e organizimit”.

“Unë gjatë luftës jam burgosur. Pra jam prej strukturave të para. Celulat e para datojnë prej viti 91 dhe 92. Fadil Kajtazi ka qenë në dy programe, grupi i Ibrahim Oruqit, Ahmet Demiri, Naser Ramadani, Fadil Latifi e shumë tjerë, në këto kampe ushtarake të njëjta ka qenë Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sami Lushtaku. Unë e kam organizuar e strukturuar Anamoravën dhe ka plotë luftëtarë që kanë dhënë jetën në luftë. Nuk e di pse Komandanti i Zonës së Karadakut i ka futur në listë njerëzit që kanë qëndruar në bodrume pa qenë asnjë ditë në luftë. Po shtrembërohet historia. Nuk e di se si kanë guxim me marrë para nga buxheti i Kosovës njerëz që nuk kanë qenë në luftë asnjë ditë. Të gjithë e dimë që kanë qenë në kampe jashtë vendi ose bodrume dhe sot janë veteranë. Pse ke qëndruar në bodrum, nuk duhesh me qenë veteran. Nëse ke qenë veprimtar, mbetesh veprimtar”, ka deklaruar Haziri, në emisionin ‘Puls’ në KTV.

Më tej, ai ka bërë me dije se ka aplikuar për status të veteranit, por nuk gjendet në listë, ndërsa ka theksuar se shumë prej atyre që janë në listë vet i ka dërguar në trajnime.

“Po ndërtohet historia e rrejshme nga këta njerëz, po shtrembërohet historia. Gjeneratat e reja s’di se si do ta mësojnë historinë”, u shpreh ai.

Duke folur për komunën që ai drejton, Haziri ka thënë se paraardhësi i tij, Qemajl Mustafa, ka keq-menaxhuar me Komunën.

“Komuna e Gjilanit është menaxhuar keq. Paraardhësi im Qemajl Mustafa i ka harxhuar mbi 160 mijë euro për dreka e darka “reprezentacion” ndërsa unë, për një vit, i kam harxhuar 4 mijë euro. Mua PDK-ja mi ka dërguar 4 dosje në prokurori, por këto janë denoncime politike për tu hakmarrë që të bëhet balansi sepse paraardhësi i ka rreth 36 lëndë në prokurori. Merre me mend, mbi 260 mijë euro paguhet vetëm për sigurim të objekteve në komunë, plus edhe 160 mijë euro janë harxhuar për kontratat të ashtuquajtura profesionale në vit”, u shpreh Haziri.

“Taksën për biznese e kam kthyer për arsye se u janë bërë favore, sidomos hoteleve. Ka kontrata mbi vepër të cilat janë të paligjshme, të cilat do t’i largoj së shpejti. Sa i përket drejtorive, së shpejti do të bëj ndryshime në rreth 40% të drejtorive dhe stafit sepse jam i pakënaqur me performancën e tyre”, theksoi kreu i Komunës së Gjilanit.

Në çështjen e zgjedhjes së tashmë ministrit të Jashtë, Hashim Thaçi, në postin e Presidentit, Haziri ka thënë se LDK do ta mbajë fjalën dhe do ta zgjedhin Thaçin në këtë post.

“Ne si LDK do ta mbajmë fjalën dhe do ta bëjmë Hashim Thaçin President”, theksoi Haziri.

SHKARKO APP