Heshtja e frikshme e qeverisë për ikjet masive!

Besniku nga rajoni i Prizrenit tashmë ka arritur që t’i gjej tre mijë euro. Ai e ka shitur veturën e tij, të tipit Golf 3 dhe i ka kërkuar disa para tek të afërmit, në mënyrë që t’ia mësyj Evropës Perëndimore.

Ai rrëfehet për Gazetën Blic se nuk i ka mbetur asnjë zgjidhje. “Asnjë në familje nuk punon. Unë punoja kohë pas kohe ndonjë punë fizike, mirëpo nuk po mund të mbijetojmë me ato pak para. Nuk më ka mbetur rrugë tjetër, vetëm që të shkoj në ndonjë shtet të Evropës, në mënyrë që të gjej ndonjë punë dhe të mund ta mbaj familjen”, tregon ai për Gazetën Blic.

Ky i ri, ndonëse nuk e ka të qartë se ku do të shkoj dhe çka do të mund të punoj, thotë se në Kosovë më nuk ka shpresa se do të mund të gjej një punë dhe të ketë një jetë më të mirë dhe stabile.

“Këtu nuk ka gjë. Më keq se këtu nuk do të jetë askund”, tregon ai.

Por, sot me qindra të rinj sikurse Besniku për çdo ditë ia mësyjnë vendeve të Evropës për një jetë më të mirë, e shumë të tjerë edhe për vetë ekzistencën e tyre.

Qeveria hesht!

Pavarësisht se çdo mbrëmje me dhjetëra autobus nisen me të rinj nga Kosova, madje duke shitur edhe shtëpitë e tyre, institucionet e Kosova janë të heshtura ndaj këtij fenomeni kaq shqetësues.

Saktësisht para një javë Kosova më në fund i ka kompletuar edhe institucionet e saja pas gjashtë muajve krizë, mirëpo askush nuk e ka thënë as edhe një fjalë shprese për ndaljen e kësaj ikje masive.

I vetmi i cili e ka dhënë një deklaratë është ministri Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Ai ka thënë se asnjë shtet nuk pranon më azil politik.

Por, njeriu i cili duhet të flet për këtë problematik kaq shqetësuese, Isa Mustafa vazhdon të heshtë. As pas 7 ditësh, pavarësisht raportimit të vazhdueshëm të medieve, ai nuk e tha as edhe një fjalë të vetme.

As në ekspozen e famshme në Kuvend, nuk e mori mundin që t’i thotë dy fjalë për migrimin e këtyre të rinjve.

Parardhësi i tij, Hashim Thaçi kishte marrë vendim që përmes përdorimit të policisë të mos lejoj daljen e këtyre të rinjve jashtë Kosovës.

Analistët politik: Kosova po i ngjan Koresë së Veriut

Në anën tjetër, analistët politik thonë se kjo formë e tentim ndaljes së të rinjve për migrim ilegal i ngjan Koresë së Veriut.

Analisti politik, Shpend Kursani ka thënë për Gazetën Blic se, institucionet e Kosovës duhet të merren shumë seriozisht me këtë problem.

Mirëpo, sipas tij, ky problem gjithsesi nuk do të mund të zgjidhet me ndonjë politikë të caktuar nga ana e institucioneve, por duhen bërë ndryshime të mëdha në sferën politike ashtu edhe në atë ekonomike në të gjithë sistemit. “Pra nevojiten ndryshime sistemike”, thotë Kursani.

“Të kërkosh te rregullosh këtë problem nëpërmjet institucioneve apo më gjerë sistemit i cili është edhe shkaktari i këtij eksodi të paprecedent për nga arsyeja e pësimit të tij, është e palogjikshme. Andaj kur them se ky problem adresohet vetëm me ridrejtim të ri ekonomik e politik, ajo i bije që institucionet duhet ta ndryshojnë kursin e logjikës së tyre për ekonominë dhe politikën. Pra, ekonomia gjithsesi duhet të jetë më sociale, privatizimi i ndërmarrjeve të ndërpritet dhe të bëhet rinacionalizimi i atyre aty ku është e mundshme, të ndërpriten vjedhjet e mëdha të buxhetit që bëhen kryesisht përmes asfaltit, ku paratë e “kursyera” nga vjedhjet të drejtohen në projekte shoqërore e komunitare”, thotë Kursani.

Ndryshimi i tillë në qasjen ndaj ekonomisë gjithsesi me automatizëm sipas tij, do ta ndryshonte edhe sistemin politik, pra do ta bënte më demokratik dhe më të pastër për nga përfaqësimi.

Kursani tregohet shumë i ashpër me qeverisjen në vend. Ai madje krahason Kosovën me Korenë e Veriut.

“Çdo lexim që e bëni apo dokumentar që e shikoni mbi regjimin diktatorial të Koresë Veriore, hasë në politikën identike që së fundi Qeveria e Kosovës ka ndërmarr kundrejt qytetarëve që po tentojnë ta lëshojnë Kosovën për një jetë më të mirë. Të kërkosh jetë më të mirë, është e drejtë njerëzore, e jo krim, siç po e konsideron Qeveria e Kosovës. Andaj konsideroj që përdorimi i policisë për ndalimin e qytetarëve ta lëshojnë vendin në kërkim të një jete më të mirë është krim vetvetiu”, thotë ai për Gazetën Blic.

Sipas tij, logjika që Qeveria e Kosovës e përdorë në këtë rast është kjo: ne pasurohemi duke ju varfëruar, lirohemi duke ju shtypur, dhe ju ndalojmë daljen nga ky kafaz pikërisht se na duhet të dukemi të mirë në marrëdhënie me BE-në që të vazhdojmë të jemi në pozitën ky ne vazhdojmë të pasurohemi e lirohemi duke ju varfëruar e shtypur juve. Me këtë politikë,

Qeveria e Kosovës po i rrah qytetarët e vet duke mos i lënë as të qajnë”.

Isa Mustafa do të dështojë!

Kursani thotë se Isa Mustafa nuk është bërë Kryeministër për qytetarët e vet, andaj “mendoj që edhe gjatë gjithë mandatit të tij ai nuk do ta adresojë këtë problem”.

“Isa Mustafa është bërë kryeministër për prioritete të ndërkombëtarëve që tashmë rastisin të jenë kundër interesit të Kosovës, pra kthimin e ndikimi të Serbisë. Shikoni marrëveshjen që e ka nënshkruar me PDK-në, partnerin e saj qeverisës.

Aty kryesisht flitet për shtimin e drejtave të Serbëve dhe kthimin e Serbisë në Kosovë. Apo, për ata që kanë arrit ta dëgjojnë programin qeverisës që Isa Mustafa e lexoi në ditën e zgjedhjes së tij në Kuvend, flet pikërisht për vazhdimin e sistemit të njëjtë ekonomik që edhe është shkaktar i eksodit”, thotë Kursani.

Ai shprehet i bindur jo që nuk do ta luftojë këtë dukuri kjo Qeveri, por vetëm se do ta përkeqësoj gjendjen. /Gazeta Blic

SHKARKO APP