Hetimi për vdekjen e Astrit Deharit në qelinë e paraburgimit, përfshin edhe Shqipërinë

Hetimi i nisur nga Prokuroria e Prizrenit për vdekjen e dyshimtë në qelitë e paraburgimit të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari shtrihet edhe në Shqipëri. Gjykata e Tiranës ka pranuar ekzekutimin e një letërporosie të palës kosovare për marrjen në pyetjet të ekspertit mjeko-ligjor Besim Ymaj. Ndërkohë të premten avokati i familjes Dehari i kërkoi kryeministrit të Kosovës kryerjen e një ekspertize të pavarur në Lozanë të Zvicrës.

Vdekja e dyshimtë e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në qelitë e paraburgimit të Prizrenit në Kosovë në nëntor të vitit 2016 shkaktoi tërmet në politikën kosovare dhe u përcoll me protesta nga shoqëria civile.

Hetimi i nisur nga Prokuroria e Prizrenit për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së të riut ka përfshirë së fundmi edhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës i ka dhënë dritë jeshile ekzekutimit të një letërporosie të autoriteteve kosovare të drejtësisë për këtë rast.

Astrit Dehari ndërroi jetë në 5 nëntor 2016 teksa mbahej në qelitë e paraburgimit, si një nga personat e dyshuar për sulmin me mortajë ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar.

SHKARKO APP