Himni i Kosovës, zyrtarisht për herë të parë në Serbi
Serbia është organizator i “Ballkaniadës” në taekwondo, e cila do të mbahet në Zrenjanin.
Por mediat në Serbi këtë organizim po e quajnë skandaloz pasi nën presionin e Evropës, në këtë garë merr pjesë edhe Kosova.
Edhe më parë klube nga Kosova dhe Serbia janë ndeshur me njëri-tjetrin, por në terrene neutrale, kurse kjo është hera e parë që këto përballje të zhvillohen në Serbi.
“Taekwondistët nga Kosova vijnë në Zrenjanin, pasi Federata e tyre është e pranuar në Unionin Ballkanik të Taekwondos, dhe kështu kanë të drejtë të garojnë”, ka thënë për “Sport” sekretari i përgjithshëm i Federatës Serbe të Taekwondos, Zoran Çendiq,.
Kjo do të thotë se Serbia është e pafuqishme dhe si e tillë do të lejojë pjesëmarrjen e ekipeve të Kosovës.
Madje po e cilëson si rast unik në botë pasi “një shtet ka dy përfaqësuese”.
Edhe taekwondistja më e mirë serbe, Milica Mandiq, këtë situatë e ka cilësuar si të pakëndshme.
“Askujt nga ne nuk i vjen mirë që ekipe nga Kosova do të marrin pjesë. Jemi të dëshpëruar sidomos pasi që gjithçka po ndodh në raportin Serbi- Kosovë”, ka thënë Mandiq.
Kampionati i taekwondos në Zrenjanin do të mbahet më 5 dhe 6 dhjetor, ku edhe do të intonohet himni i Kosovës, për herë të parë zyrtarisht në Serbi.