Hoti: Asociacioni, temë e mbyllur
Ditën kur duhet të zhvillohej raundi i ri i bisedimeve teknike midis Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Avdullah Hoti, përsëriti se çështja e bashkimit të komunave me shumicë serbe është një temë e mbyllur. Bisedimet janë shtyrë dhe nuk dihet nëse kjo pikë e axhendës është shkaku. Në anë tjetër Bashkimi Europian kërkon që kjo çështje “të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të hënën se çështja e bashkimit të komunave me shumicë serbe është një temë e mbyllur.
“Ajo temë nuk hapet, sepse është përmbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 [midis Kosovës dhe Serbisë], e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe pastaj është marrëveshja e parimeve e vitit 2015”, tha Hoti.
Hoti i bëri komentet gjatë një konference për mediat në Prishtinë ditën kur duhej të zhvillohej raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi në nivel ekspertësh, por që u shty, siç thënë zyrtarët europianë, për shkak të gjendjes së krijuar nga koronavirusi.
Kosova thotë se nuk dëshiron ta hapë çështjen e bashkimit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia insiston që të bisedohet për të. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, thotë se kjo çështje “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.
Krijimi i bashkimit të komunave me shumicë serbe parashikohet nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, por Gjykata Kushtetuese konstatoi se parimet e këtij bashkimi bien ndesh me ligjin themeltar të shtetit dhe kërkon harmonizimin me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
“Kemi treguar gjithë konstruktivitetin e nevojshëm për ta çuar përpara këtë proces [të dialogut], që është me rëndësi për Kosovën, për Serbinë dhe për rajonin”, tha Hoti.
Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave se drejton një qeveri të paqëndrueshme dhe përjashtoi përfshirjen e mundshme të Partisë Demokratike të Kosovës në qeveri.