Hoti: Kosova pritet të marrë vaksina për 20% të popullatë
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se institucionet e vendit janë duke u përgatitur për vendosjen e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë festave të fundvitit. “Institucionet shëndetësore do të mbesim të mobilizuara. Po përgatisim skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve”, ka thënë kryeministri Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ai tregon për situatën e pandemisë në Kosovë.
Sipas kryeministrit Hoti, institucionet po punojnë shumë për sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit. “Jemi pjesë e koalicionit COVAX dhe presim të marrim vaksina për 20% të popullsisë. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to”, thotë Hoti.
Vaksinat kërkojnë kushte të veçanta të transportit dhe ruajtjes. Përshembull vaksina e kompanisë Pfizer e cila është miratuar për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe disa vende tjera, kërkon kushte të mbajtjes në temperaturë -70 gradë Celsius. Kryeministri tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike po punon në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komuna.