Hoti: Lutje dhe mirënjohje për të prekurit nga pandemia

Në mesazhin për Vitin e Ri, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se lutet për të prekurit nga koronavirusi, ndërsa shprehu mirënjohje për punonjësit shëndetësorë, policët e inspektorët.

“Kjo pandemi na ka goditur të gjithëve. Lutjet e mia sonte janë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, përfshirë familjet e mjekëve dhe infermierëve, policëve dhe stafit tjetër, që kanë humbur jetën në krye të detyrës”, tha Hoti.

Ai tha se qeveria “ka bërë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë të gjithëve” dhe përmendi miratimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike, e cila, sipas tij, është ndër më të mëdhatë në rajon dhe më gjerë.

Hoti tha se Kosova, edhe pse në një vit të vështirë, ka arritur “suksese të pakontestueshme”.

“E kemi rikthyer besimin dhe bashkëpunimin me miqtë tanë, në rend të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Evropian”.

“I kemi hapur dyert për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke filluar nga vendet e rajonit, vendet anëtare të BE-së, në Bruksel, në selinë e NATO-s, e deri në Shtëpinë e Bardhë”, tha Hoti.

“Dialogun politik me Serbinë e kemi rinisur mbi parime të qarta, për njohje reciproke, duke e eliminuar idenë e rrezikshme të shkëmbimeve territoriale”, shtoi ai.

Qeveria e tij është në detyrë, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 21 dhjetor, ka konstatuar se ajo është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, ka votuar për Qeverinë e Hotit, ndonëse ka pasur një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”.REL

SHKARKO APP