Hoti mbledh partitë para takimit në Uashington, refuzon VV: Qeveria e paligjshme
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në prag të mbajtjes së takimit në Uashington, ka ftuar liderët politik në një takim të përbashkët.
Takimi do të mbahet në orën 11:00 në zyrën e Kryeministrit
“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Uashington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit!”, ka shkruar Hoti.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Vetëvendosjes, duke refuzuar ftesën me argumentin se kjo qeveri është e paligjshme.
“Kjo qeveri është e paligjshme. S’ka as kredibilitet e as legjitimitet. E, ftesa e saj për takimin e sotëm as nuk ka ardhur e as nuk ka pasur nevojë ta nisin”, ka shkruar zëdhënësi i saj, Arlind Manxhuka.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell njoftoi se pala kosovare dhe ajo serbe do të zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 27 qershor 2020.
Ndërkaq, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i cili po qëndron në Kosovë, dje pas takimit me krerët e shtetit deklaroi se Bashkimi Evropian është i angazhuar që sa më shpejt të rinisë dialogu.
Lajçak shtoi më tej se bashkëpunimi me SHBA-në do të vazhdojë.
“Ne gjithmonë kemi bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe gjithçka që është arritur deri më tani është arritur vetëm në saje të këtij bashkëpunimi. Ky bashkëpunim do të vazhdojë”, tha ai.