Hoti: ”Mini-Shengeni Ballkanik”, jo në interesin e Kosovës
Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së LDK-së, thotë se ”Mini-Shengeni Ballkanik” nuk është në interesin e Kosovës. Teksa e cilëson si projekt i Unionit Doganor Ballkanik, të cilin Kosova e kishte refuzuar në vitin 2016, si aryse të parë pse LDK-ja është kundër, thotë se ky projekt ia pamundëson Kosovës të vendosë kontrolle si tarifa apo reciprocitet të plotë, për mallra që e çrregullojnë tregun e Kosovës, ndaj Serbisë dhe Bosnjës si dy vende që nuk e njohin Kosovën dhe e pengojnë në çdo formë.
Hoti si arsye të dytë thotë se kjo mundëson lëvizje të lirë për zyrtarë serbë që vijnë në Kosovë për fushatë politike kundër shtetit të Kosovës, pa pasur mundësi të ndalen në kufi për shkak të “lëvizjes së lirë” pa leje paraprake që mundëson ”Mini-Shengeni”. Deputeti i rizgjedhur LDK-së, shton se Mini-Shengeni e de-faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në sferën e marrëdhënieve rajonale.
”Krijon mundësi për invazion të mallrave nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë si dhe vendi me popullsinë dhe me ekonominë më të madhe në rajon, Serbia përmes kësaj ideje tenton ta mbajë sa më gjatë regjionin e Ballkanit jashtë Bashkimit Europian, në pritje të krijimit të balanceve të tjera gjeopolitike me rol të shtuar të Rusisë”.