Hoti në Uashington për projekte ekonomike
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti hodhi poshtë zërat se në Uashington po shkohet për të shkëmbyer territore me Serbinë. Ai garantoi se aty do të diskutohen vetëm projekte ekonomike dhe qeveria që ai drejton po zhvillon ide lidhur me disa projekte infrastrukturore.
Takimi i 27 qershorit në Uashington midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë do të jetë i fokusuar tek projektet ekonomike. Sipas kryeministrit Avdullah Hoti, këto projekte do ta kthejnë “Kosovën në qendër të aktivitetit ekonomik në rajon”.
Hoti tha se qeveria po zhvillon ide lidhur me disa projekte infrastrukturore, që do të mund të prezantohen në Uashington.
“Presim të rifillojmë procesin e dialogut. Fokusi siç është bërë e ditur nga zyrtarë të administratës amerikane do të jetë në bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve. Tani, bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe kabinetit qeveritar jemi duke i zhvilluar idetë tona, projekte madhore infrastrukturore që e ndryshojnë komplet peizazhin ekonomik në Kosovë dhe në krejt rajonin. Janë disa projekte që unë besoj që për një periudhë afatmesme do ta kthejnë Kosovën në qendër të aktivitetit ekonomik në nivel të rajonit”, tha Hoti pas një vizite që i bëri Komunës së Pejës.
Takimi i 27 qershorit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington është thirrur nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.
Kosova dhe Serbia takohen pas një ndërprerje të gjatë të dialogut mes tyre, për shkak të vendosjes së një tarife nga Prishtina zyrtare ndaj mallrave serbe në fund të vitit 2018. Më pas kjo tarifë u zëvendësua me masa reciprociteti nga qeveria Kurti.
Gjatë vizitës në komunën e Pejës, kryeministri Hoti foli edhe për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 21 qershor. Ai tha se ka lejuar zhvillimin e zgjedhjeve edhe në Kosovë, njësoj siç ka ndodhur në të kaluarën.