Hoti: Pa njohje reciproke s’mund të ketë normalizim raportesh me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar sot se në procesin e dialogut me Serbinë është duke u angazhuar plotësisht në bazë të kompetencave që ia lejon Kushtetua e Kosovës.
Hoti shton se pa marrëveshje për njohje reciproke nuk mund të ketë normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Këto deklarata numri një i qeverisë i ka bërë pas homazheve në pllakën përkujtimore të personave të pagjetur me rastin e Ditës Botërore të të Pagjeturve,
“Kjo është plagë e hapur akoma. Është tema më e ndjeshme. Nuk është e tepërt. Kjo është çështja kryesore në çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet për normalizim marrëdhëniesh dhe për njohje reciproke”, ka thënë kryeministri.
Më tej, ai ka thënë se në çdo takim me Serbinë diskutojnë tema të cilat janë në funksion të njohjes reciproke.
“Në çdo takim që kemi, tema e vetme për çfarëdo që bisedojmë. Çdo gjë është në funksion të njohjes reciproke. Ndryshe nuk mund të normalizohen marrëdhëniet mes të dy shteteve”, ka theksuar kryeministri.