Hoti: Takimi në Uashington do të mbahet së shpejti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të shtunën (27 qershor) se përmbyllja sa më shpejtë e procesit të dialogut është në interesin e Kosovës si dhe të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara.

Këto komente vijnë pas takimit të tij me përfaqësuesit e BE-së, ku është diskutuar për rifillimin e procesit të dialogut, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, të cilat i ka shpalosur Hoti të shtunën në një konferencë para gazetarëve.

Hoti tha se takimi në Uashington, i kryesuar nga ai si kryeministër, do të mbahet shumë shpejtë në një datë të re në dakordim me ndërmjetësuesin e SHBA-së në dialog, Richard Grenell.

Ai theksoi se takimi i planifikuar më 27 qershor është shtyrë, për shkak të zhvillimeve të reja në vend, pas njoftimit nga Zyra e Prokurorisë Speciale për aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

“Zhvillimet politike dhe zhvillimet e fundit në veçanti në Kosovë e kanë ndërruar dinamikën, pas njoftimit të dorëzimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është arritja më e madhe e shtetit tonë për të fituar pavarësinë. Kjo luftë është e shenjtë dhe ka sjellur lirinë dhe pavarësinë, si dhe akti i shpalljes nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë komplet e legjitimon luftën”, tha Hoti.

Hoti theksoi se roli i BE-së dhe Uashingtonit është komplementar në këtë proces.

Ndër tjera, kryeministri i Kosovës tha se nga java e ardhshme do të diskutojnë me secilin vend të BE-së për mirëmbajtjen e reformave për liberalizimin e vizave. Ai tha se do të punohet me shtetet skeptike në veçanti që të shtyhet përpara ky proces.

Të shtunën, deputetët e Parlamentit Evropian i kanë dërguar letër kancelares gjermane Angela Merkel, që të vë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi Gjermania nga 1 korriku do të udhëheqë Bashkimin Evropian./REL/

SHKARKO APP