Hoti: Vendi është në gjendje lufte me situatën e krijuar nga COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në orët e para të mëngjesit ka vizituar Klinikën Infektive e cila po përballet me një numër të madh të pacientëve të infektuar me COVID-19.

Pas ardhjes së kryeministrit aty, pak minuta më vonë iu bashkua edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

E pas vizitës që bënë në Klinikën Infektive, Hoti përsëriti se vendi është në gjendje lufte me situatën e krijuar nga COVID-19.

Ai tha se do të angazhojnë staf shtesë që të ju dalin në ndihmë pacientëve.

“Bashkë me ministrin do të jemi këtu në vizita të rregullta dhe do të bëjmë të pamundurën që të gjithë pacientët të marrin ndihmën e duhur mjekësore”, u shpreh ai.

E derisa zakonisht në rate të tilla, mediave u drejtohet edhe ministri Armend Zemaj sot ai nuk e mori fjalën.

Ndryshe nga kryeministri Hoti që deklaroi se është gjendje lufte, U.D. të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi, tha se situata është plotësisht nën kontroll.

“Ju sigurojmë se situata është nën kontroll. Deri më tani asnjë pacient nuk e kemi që nuk e ka marrë trajtimin e duhur për pandeminë”, u shpreh ai.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Berisha bëri të ditur se në këtë klinikë sot janë të shtrirë 106 pacientë, ku 60-70% prej tyre janë me oksigjen, de 6 pacientë me respiratorë.

Ajo tha se lirimi i disa pacientëve po mundëson hospitalizimin e të tjerëve.

Infektologu Salih Ahmeti u shpreh se kjo është faza më e rëndë në menaxhimin e pandemisë, për shkak edhe të gripit sezonal.

Kryeministri Hoti nuk ka pranuar pyetjet e gazetarëve ndonëse pati interesim prej tyre për çështje të caktuara.

SHKARKO APP