Hoxhaj: Moment historik për marrëveshje në favor të Kosovës
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke folur për sfidën e negociatave me Serbinë, thotë se qeveria aktuale është legjitime dhe legale, por deri tani nuk ka paraqitur ndonjë platformë serioze për këtë proces. Anëtari i Kryesisë së PDK-së tha për ”Balkan Talks”, se partia e tij është në opozitë por për çështje të shtetit do ta mbështesin qeverinë.
”Ne jemi opozitë ndaj qeverisë së Kosovës, por nuk do të jemi opozitë ndaj shtetit të Kosovës. Për çdo çështje të shtetit të Kosovës do ta mbështesim qeverinë, por do të shohim se sa serioze është qeveria në raport me dialogun. Deri tani kemi parë vetëm një përmbajtje të dobët të platformës së qeverisë, ndaj kërkojmë parimet e qeverisë për dialogun. Deri tani nuk shohim qasje serioze. Pa një koordinim të brendshëm të forcave kryesore politike në Kosovë, unë mendoj se ne nuk do të arrijmë të nënshkruajmë një marrëveshje me Serbinë dhe më së paku ta zbatojmë”.
Për ish-ministrin e Jashtëm, Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment historik për të arritur një marrëveshje në favor të saj. Këtu ai iu referua rivalitetit SHBA-Kinë dhe rënies së ndikimit nga Europa. Sa i takon idesë për një shkëmbim të mundshëm të territoreve mes dy vendeve, Hoxhaj tha se qëndrimi i PDK-së është kundër. ”Qasja jonë është që shtet ndërtimi i Kosovës të përmbyllet me kufijtë e shpalljes së pavarësisë. Shkëmbimi i territorit është i papranueshëm. Nuk pranojmë një marrëveshje të keqe për Kosovën”.