Hoxhaj në Samitin e Frankofonisë në Senegal, lobon për njohje të reja të Kosovës
Kosova E Premte, 28 Nëntor 2014 17:21
Në margjina të konferencës ministeriale të Samitit, Hoxhaj ka takuar ministrat e jashtëm dhe shefat e delegacioneve të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, duke u kërkuar që ta bëjnë një gjë të tillë.
Në takimet me ministrat e jashtëm të Malit, Abdoulaye Diop, atë të Madagaskarit, Arisoa Lala Razafitrimo, të Seishellit, Jean Paul Adam dhe shefat e delegacioneve nga Maroku dhe Libani, Hoxhaj i ka informuar për zhvillimet pozitive në Kosovë dhe nevojën e njohjes së pavarësisë nga këto vende në mënyrë që të ecet më tutje në raportet diplomatike me këto shtete.
“Në takimet e ndara në margjina të Samitit të Frankofonisë, pata rastin të takoj dhe kërkoj njohjen e Kosovës nga ministrat e jashtëm të shumë vendeve sikurse Mali, Madagaskari, Seishellit dhe shefat e delegacioneve nga vende të tjera, të cilat tanimë janë të njohura me rastin dhe të arriturat e Kosovës. Jam optimist për vendime pozitive”, ka thënë Hoxhaj, pas takimeve.
Shefi i diplomacisë kosovare, po ashtu ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Senegalit, shteti i të cilit është organizator i Samitit të Frankofonisë, ministrat e Haitit, të Chadit dhe delegacione të tjera të cilat i ka falënderuar për njohjen dhe mbështetjen që po vazhdojnë të japin për Kosovën.